E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhavit Visoka në ring më 29 mars

Xhavit Visoka do të ngjitet përsëri në ring pas më shumë se dy muaj pauzë. Duelin e radhës boksieri nga Kosova do ta zhvillojë më 29 mars në Shiroki Brijeg të Bosnës dhe Hercegovinës, që do të jetë një nga paramecet e duelit që do të zhvillojë mbajtësi aktual i brezit "WBA Intercontinental" për peshën super të mesme, kroati Stjepan Bozhiq i cili do të luftojë kundër belgut Djamel Selini.
Kundërshtari i Visokës për duelin e 29 marsit nuk është përcaktuar akoma por pritet që një gjë e tillë të bëhet në ditët në vazhdim.
"Kam pranuar ofertën për këtë duel pasi kam pauzuar për disa muaj dhe kam dashur që të kthehem sa më shepjt në ring, aty ku ndihem më së miri. Megjithëse nuk e di akoma emrin e kundërshtarit, për mua kjo nuk është problem. Po përgatitem që të shënoj fitoren e radhës dhe për të përmirësuar bilancin tim në boksin profesionist në mënyrë që sa më shpejt që të jetë e mundur të kem të drejtën për të sfiduar për titullin evropian në kategorinë gjysmë të rëndë", ka thënë Visoka.
Aktualisht Visoka është duke zhvilluar fazën përgatitore në Zarë të Kroacisë, duke qenë pjesë e kampit të Stjepan Bozhiq. Kjo ka bërë që ai të ndryshojë planet e tij për një duel që planifikonte ta zhvillonte në Prishtinë. "Pas duelit në Kroaci kam një ofertë tjetër për të zhvilluar një tjetër duel në Francë, dhe vetëm pas kësaj mund të rikthehem në Prishtinë për të zhvilluar një mec para adhuruesve të mi në Kosovë", ka përfunduar Visoka.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›