E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franca, 26 miliardë euro për ekonominë

Presidenti francez, Sarkozi, ka
bërë të ditur dje një plan
stimulues prej 26 miliardë eurosh,
qëllimi i të cilit do të jetë të
ndihmojë vendin në situatën e
rëndë financiare që po kalon. Në
të përfshihen edhe 1 miliard
euro kredi për prodhuesit e makinave
dhe 5 miliardë të tjera për
sektorin e investimeve publike.
Plani përbën 1.3% të Prodhimit
Kombëtar Bruto të Francës dhe
pritet që si rezultat i zbatimit të
tij të arrihet një rritje prej 0.6% e
ekonomisë së vendit. Por ai do
të rrisë edhe deficitin buxhetor
në 3.9% të GDP-së. Kjo shifër
është nën "çatinë" prej 3% të
kërkuar nga Komisioni Evropian
për vendet që janë anëtare të
Bashkimit Evropian, gjithmonë
në lidhje me deficitin buxhetor.
Kësisoj, borxhit publik do t‘i shtohet
barra e 20 miliardë eurove
të tjera. "Ne nuk do të heqim
dorë nga qëllimet tona për të
zgjidhur krizën e financave tona
sa më shpejt që të jetë e mundur.
Mosmarrja e asnjë mase ka
kosto më të madhe se marrja e
masave të gabuara dhe ne preferojmë
që të veprojmë", ka deklaruar
Sarkozi gjatë parashtrimit
të planit të tij stimulues. Franca
është ekonomia e fundit ndër
ekonomitë më të mëdha të
Evropës që ka paraqitur një plan
stimulues. "Kundërpërgjigjja
jonë për krizën është investimi,
sepse ai është mënyra më e mirë
për të mbështetur rritjen dhe për
të shpëtuar vendet e punës, si
dhe është mënyra më e mirë për
t‘u përgatitur për vendet e punës
së të nesërmes. Shuma e parave
e paketës do të lëvrohet përgjatë
një periudhe 3-vjeçare. Për sa i
përket situatës ekonomike,
Franca nuk është ende në një situatë
recesioni, të paktën zyrtarisht,
por situata nuk është aspak
optimiste. Sipas shifrave të publikuara
dje, papunësia në vend
është e shkallës 7.7% dhe është
rritur brenda 3 muajve të fundit
me 15. Papunësia në tërësi është
një ndër më të lartat në
Evropë dhe sipas ekspertëve, situata
do të përkeqësohet në vitin
2009. Industria automobilistike
e Francës është prekur rëndë
nga kriza financiare dhe shitjet
e markave vendase kanë rënë
dukshëm, çka do të sjellë si pasojë
edhe një shkurtim të madh
të vendeve të punës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›