Kristiano Ronaldo, fitues i “Topit të artë”
“Topi” i 53-të i “artë” i përket tashmë portugezit Kristiano Ronaldo. Lajmin e bëri të ditur faqja në internet e revistës prestigjioze franceze “France Football”. Anësori 23-vjeçar i Mançester Junaitid fitoi 446 pikë, duke lënë pas vetes argjentinasin e Barcelonës Lionel Mesi (267 pikë) dhe spanjollin e Liverpulit, Fernando Torres (165 pikë). Ronaldo është portugezi i tretë në historinë e “Topit të artë”. Përpara tij trofeun më të rëndësishëm për një futbollist e kishin fituar Eusebio (1965) dhe Luis Figo (2000). Ronaldo dha një kontribut të jashtëzakonshëm në fitimin e Ligës së Kampioneve dhe Premier Ligës nga ana e Mançesterit. Kristiano Ronaldo është një futbollist i pakrahasueshëm: i pagabueshëm nën presionin psikologjik, tepër atletik, me teknikë shumë të dukshme dhe një artist i vërtetë në kundërsulm, falë edhe dhuntisë së pabesueshme e kapacitetit të shpejtësisë. Ka një vizion shumë të mirë për lojën kolektive dhe ka një pas të artë e shumë përcaktues. Këtyre u shtohen edhe goditjet precize nga gjuajtjet standarde. Gjatë sezonit 2006-2007 kishte shënuar 28 gola në të gjitha kompeticionet, por një vit më pas shënoi 46 të tillë, duke qenë golashënuesi më i mirë i Premier Ligës (31 gola) e Ligës së Kampioneve (8 gola). Trashëgimtar i Lau, Bobi Çarlton e Best, ai hyn në muzeun e përjetshëm të Mançester Junaitid. Ronaldo është pasues i portugezëve Eusebio e Figo. Por, Kristiano nuk është më i riu i laureuar në histori, pasi këtë “medalje” e mban akoma një tjetër Ronaldo, braziliani që fitoi kur ishte vetëm 21 vjeç e 3 muaj, në trofeun e parë të fituar prej tij në vitin 2007.
“Jam vetëm 23 vjeç dhe kjo është diçka e shkëlqyer, e pabesueshme. Kishte emra të tjerë të mëdhenj këtë vit. Unë pashë se Lionel Mesi doli i dyti dhe Fernando Torres i treti, por edhe Çavinë (i pesti). Të gjithë këta mund ta fitonin trofeun që fitova unë. Bëhet fjalë për një nga ditët më të bukura të jetës sime”. Ky ishte komenti i Kristiano Ronaldos pas fitimit të “Topit të artë”. Trofeu do të jepet zyrtarisht ditën e diel. “Kisha ëndërruar gjithmonë ta fitoja këtë trofe, qysh kur isha fëmijë. Emocioni që më ka mbërthyer është i papërshkrueshëm. Dëshiroj t’u them para së gjithash atyre që kanë votuar për mua, - shtoi portugezi, - ata që më njohin, jetojnë me mua, dinë se për mua kjo ishte një ëndërr”. Njëmbëdhjetë lojtarë që luajnë në Premier Ligë fituan të paktën një votë, ndërkohë që Stiven Xherard (i nënti), Uejni Runi (i 13-ti) dhe Frenk Lampard (i 15-ti) ishin dhe futbollistët anglezë në pozicionet më të mira.
Vetëm 23 vjeç e 10 muaj, Kristiano Ronaldo është midis fituesve më të rinj në moshë në historinë e “Topit të artë”. Por më të rinj se portugezi janë katër lojtarë të tjerë. Më i riu mbetet ende Ronaldo, “Fenomeni” brazilian në vitin 1997 ishte vetëm 21 vjeç e 3 muaj. Anglezi Majkëll Ouen në vitin 2001 ishte 21 vjeç e 11 muaj; Xhorxh Best në vitin 1968 ishte 22 vjeç e 6 muaj dhe Oleg Bllohin në vitin 1975 ishte 23 vjeç e një muaj.
Kristiano Ronaldo mund brazilianin Kaka
I votuar i pari nga 77 gazetarë, nga 96 gjithsej që morën pjesë në votimin për fituesin e “Topit të artë” 2008, të dhënë nga revista sportive franceze “France Football”. Por, portugezi nuk e theu dot brazilianin Kaka, i cili u përzgjodh 78 herë si i pari në listë. Por, gjithsesi, portugezi i Mançester Junaitid e mundi brazilianin e Milanit përsa i përket pikëve të fituara në total: 446 kundrejt 444 nga 480 të mundshmet. Kristiano Ronaldo ka vendosur edhe një rekord të ri, pasi është i vetmi lojtar i cituar nga të gjithë gazetarët votues (përfshirë këtu edhe Besnik Dizdarin nga Shqipëria). Lionel Mesi fitoi 267 pikë, ndërsa Fernando Torres 165 pikë. Kristiano Ronaldo është portugezi i tretë që fiton “Topin e artë.
Votat
1. Kristiano Ronaldo (Mançester Junaitid), 446 pikë
2. Lionel Mesi (Barcelona), 281 pikë
3. Fernando Tores (Liverpul), 179 pikë
4. Iker Kazijas (Real Madrid), 133 pikë
5. Çavi Hernandez (Barcelona), 97 pikë
6. Andrei Arshavin (Zenit St-Petersburg), 64 pikë
7. David Vija (Valencia), 55 pikë
8. Kaka (Milan), 31 pikë
9. Zlatan Ibrahimoviç (Inter ), 30 pikë
10. Stivën Xherard (Liverpul), 28 pikë
11. Markos Senna (Vijareal), 16 pikë
12. Emanuel Adebajor (Arsenal), 12 pikë
13. Uejni Runi (Mançester Junaitid), 11 pikë
14. Serxho Aguero (Atletiko Madrid), 10 pikë
15. Frenk Lampard (Çelsi), 8 pikë
16. Frenk Riberi (Bajern Munih), 7 pikë
17. Samuel Eto'o (Barcelona), 6 pikë
18. Xhanluixhi Bufon (Juventus), 5 pikë
19. Mikael Balak (Çelsi), Sesk Fabregas (Arsenal), 4 pikë
21. Didier Drogba (Çelsi), Serxho Ramos (Real Madrid), Nemanja Vidiç (Mançester Junaitid), 3 pikë
24. Edvin van der Sar (Mançester Junaitid), Rud van Nistelroj (Real Madrid), 2 pikë
Lipi: Ronaldo nuk e meritonte “Topin e artë”
Trajneri i Italisë, Marçelo Lipi, ishte ndër të parët që nuk e pëlqeu faktin që Kristiano Ronaldo fitoi “Topin e artë”, duke pohuar se nuk e meritonte aspak atë. Asi i Mançesterit fitoi trofeun prestigjioz, ndërkohë që portieri i Juventusit, Xhanluixhi Bufon, u rendit i 18-ti, duke qenë më i mirë nga kandidatët që vinin nga Italia. Lipi beson se e vetmja arsye që Ronaldo fitoi ishte pasi trajnerët nuk lejoheshin të votonin për lojtarët. Nëse do të lejohej kjo, atëherë vetë Lipi do të votonte për futbollistët italianë të kombëtares së tij. “Ronaldo fitoi ‘Topin e artë’ pasi gazetarët europianë votuan për të”, - tha Lipi për “Sky Sport Italia”. “Unë mendoj se Lionel Mesi mund ta fitonte atë. Nëse do të më lejohej, unë do t’ia jepja çdo lojtari të skuadrës sime italiane, pasi të gjithë ata janë fituesit e mi të “topit të artë”. Del Piero? Ai ka fituar Kupën e Botës”, - tha Marcelo Lipi.
3 Dhjetor 2008