E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza tkurr kërkesën në tregun e punës

02/08/2009  Banka e Shqipërisë: Është rritur norma e papunësisë në tremujorin e parë

Rritet norma e papunësisë në vend. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, tre muajt e parë të këtij viti edhe sektori privat edhe ai shtetëror kanë nxjerrë pa punë rreth 1 800 persona. Shkak për këtë është bërë situata e vështirë me të cilën u përball një pjesë e mirë e sektorëve të ekonomisë, mes të cilëve sektori i ndërtimit dhe ai i industrisë me fason.

Papunësia

Sipas të dhënave në tabelë, vihet re se numri i të punësuarve në sektorin shtetëror është ulur në krahasim me tremujorin e katërt të 2008-s. Konkretisht ky numër arriti në 163 767 persona të punësuar në shtet dhe 237 379 në sektorin privat, sa i përket tremujorit të parë të këtij viti. Ndërsa në fund të vitit 2008 të punësuarit në shtet ishin 164 052 dhe në sektorin privat ishin 238 975 persona. “Norma e papunësisë në tremujorin e fundit të vitit 2008 regjistroi nivelin 12.68 për qind, ndërkohë që një tremujor më parë ishte 12.62 për qind. Rritja e normës së papunësisë u shkaktua kryesisht nga rritja e numrit të të papunëve të regjistruar, krahasuar me tremujorin e tretë 2008. Sipas të dhënave për tremujorin e parë të vitit 2009, vihet re një rënie e treguesit të punësimit në total dhe rënie e numrit të të papunëve krahasuar me tremujorin e mëparshëm”, - thekson raporti i politikës monetare të Bankës së Shqipërisë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2009.

Trendi

Shkalla e papunësisë në Shqipëri pas vitit 1999 ka ndjekur një trend në ulje duke iu përgjigjur dinamikës së ndryshimeve në politikat shtetërore të ndërmarra në kuadër të stabilitetit makroekonomik si dhe për uljen e papunësisë. Numri mesatar i të punësuarve në sektorin privat bujqësor vlerësuar sipas Anketës së Forcës së Punës 2007 realizuar nga Instituti i Statistikave është 568 549 persona. Në sektorin privat jobujqësor gjatë këtij tremujori vihet re një rritje prej 1.78 për qind e numrit mesatar të të punësuarve krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2008. Në këtë sektor vihet re tendenca në rritje e numrit të të punësuarve. Numri mesatar i të papunëve që përfitojnë pagesë papunësie është 9 916 persona, sipas INSTAT-it. Niveli mesatar i ndihmës së pjesshme ekonomike është 2 986 lekë, ndërsa niveli i ndihmës ekonomike të plotë është 3 798 lekë. Paga minimale është 18 mijë lekë dhe niveli bazë i pagesës së papunësisë që prej shkurtit të 2008-s është 5 980 lekë.

Ecuria e pagave

Ritmet vjetore të ndryshimit të pagës mesatare në sektorin shtetëror dhe në ndërmarrjet ekonomike në tremujorin e fundit të vitit 2008 janë luhatur mesatarisht rreth vlerës 7 për qind. Banka e Shqipërisë vlerëson se në terma tremujorë është regjistruar një rritje e pagës mesatare për të dy sektorët, privat dhe shtetëror. “Miratimi dhe hyrja në fuqi e vendimit të qeverisë për rritjen e pagave që prej datës 1 maj të vitit 2009 vlerësohet të ketë dhënë efekt në rritjen e pagës mesatare, fillimisht në sektorin shtetëror. Rritja e pagës bazë minimale mujore për punonjësit në shkallë vendi në nivelin e 18 mijë lekëve, rreth 13 për qind më e lartë në bazë vjetore dhe rreth 6 për qind në bazë tremujore, pritet të ndikojë në ecurinë e pagave në sektorin privat në tremujorët pasues të vitit 2009”, - thekson raporti.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›