Krizat, BE plan për të reduktuar varësinë ndaj naftës dhe gazit rus

Në mënyrë që Europa të reduktojë ndjeshëm varësinë e saj ndaj naftës dhe gazit rus, Komisioni Europian në bashkëpunim me agjencinë ndërkombëtare të energjisë ka hartuar një plan masash ku mes të tjerash u kërkohet qytetarëve të përdorin më pak makinat dhe të punojnë tre ditë në javë nga shtëpia.
Komisioni Europian ështe shprehur se masat e hartuara në bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë, do t’u kursenin familjeve mesatarisht rreth 500 euro në vit. Nëse të gjithë qytetarët e BE-së ndjekin planin e quajtur Duke bërë pjesën time, kjo do të kursente mjaftueshëm naftë për të mbushur 120 supercisterna dhe gaz natyror të mjaftueshëm për të ngrohur 20 milionë banesa.
“Njerëzit në të gjithë Europën kanë ndihmuar Ukrainën duke bërë donacione ose duke ndihmuar refugjatët në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe shumë do të donin të bënin më shumë.Shumica e familjeve po përballen me fatura më të larta të energjisë për shkak të krizës energjitike të shkaktuar nga lufta. Duke përdorur më pak energji është jo vetëm një mënyrë përmes së cilës europianët mund të ulin kostot e faturave të tyre, por gjithashtu do të ndihmonte në mbështetjen Ukrainës duke reduktuar nevojën për gaz dhe naftë ruse, pra duke ndihmuar në reduktimin e burimeve të ardhurave që financojnë pushtimin”, – u tha nga BE dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë në një deklaratë për shtyp.
Ndërkohë BE dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë bënë thirrje qytetarëve të reduktojnë përdorimin e ngrohjes në dimër dhe të përdorin më pak ajër të kondicionuar gjatë verës, të rregullojnë cilësimet e boljerëve, të përdorin makinat në mënyrë më ekonomike, të ulin shpejtësinë nëpër autostrada, dhe të ulin përdorimin e ajrit të kondicionuar të makinave, t’i lënë automjetet në shtëpi të dielave, të ecin ose të përdorin bicikletat për udhëtime të shkurtra, të përdorin transportin public, dhe të përdorin trenat në vend të avionëve.
/rtsh/