E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krizat, presidentët me shumë dështime dhe pak suksese

Historia dhe roli i pesë presidentëve në periudha krizash. Moisiu prodhoi modelin e kreut të shtetit mbi palët
Albert Gjoka

Gjatë këtyre 20 viteve të demokracisë janë të pakta rastet kur presidentët kanë realizuar me sukses rolin prej ndërmjetësuesi për zgjidhjen e krizave. Historia e pesë krerëve të lartë të shtetit, megjithëse e mbushur me tensione dhe konflikte mes palëve, ka treguar se shumica prej tyre nuk kanë dalë nga guaska për të qëndruar mbi palët, duke qenë përfaqësues të unitetit të popullit. Duke marrë në shqyrtim momentet më kritike të konflikteve në politikën shqiptare, vetëm Ramiz Alia dhe Alfred Moisiu kanë arritur që të veprojnë mbi palët duke ofruar zgjidhje. I pari në dhjetorin e vitit 1991 kur dekretoi zgjedhjet e parakohshme të 22 marsit të vitit 1992, dhe i dyti Alfred Moisiu, kur arriti që të ofrojë garanci për zgjedhjet lokale të vitit 2007, pas përplasjeve dhe mungesës së besimit mes kryesocialistit Edi Rama dhe Sali Berishës, kryetarit të PD-së, njëherësh kryeministër i vendit. Moisiu, në ndryshim nga të gjithë paraardhësit apo pasardhësin e tij, është i vetmi president i zgjedhur në mënyrë konsensuale, gjë që i dha atij mundësi që të luajë rolin e tij kushtetues si një person mbi palët.

Krizat dhe presidentët
Me zhvillimin e zgjedhjeve të para pluraliste më 31 mars të vitit 1991 dhe me rikonfirmimin e komunistëve në pushtet, skena politike nuk gjeti qetësi. Në atë periudhë u rimandatua kryetar shteti Ramiz Alia. Por, zhvillimet në vend rrodhën me shpejtësi dhe kërkesa për ndryshimin e pushtetit ishte shumë më e fortë se çdo lloj tentative për të ndjekur linjën e vazhdimësisë. Në dhjetor në vitit 1991, ai i hapi rrugë krijimit të qeverisë së stabilitetit, e drejtuar nga Ylli Bufi, duke dekretuar zgjedhjet e parakohshme. Presidenti Alia firmosi largimin e kryeministrit të asaj kohe, Fatos Nano, i cili ishte zgjedhur në krye të Partisë Socialiste pas ndryshimit të emrit. Zoti Alia, në dukje, pati një rol për zbutjen e tensioneve dhe uljen e palëve në tavolinë, ndonëse proceset e nxitën edhe nga i ashtuquajturi takimi i Triestes, ku u përfol për shumë vite për një marrëveshje të fshehtë mes Berishës dhe Nanos, dy prej liderëve që uzurpuan politikën bashkërisht për një periudhë 15-vjeçare. Me zhvillimin e zgjedhjeve më 22 mars ndodhi rrotacioni dhe PD-ja erdhi në pushtet. Mediat e huaja raportuan se Fatos Nano e kishte uruar kundërshtarin e tij politik për fitoren. Roli konstruktiv dhe modest i zotit Alia u duk i tillë kur dha dorëheqjen nga posti i presidentit, duke i hapur rrugën zotit Berisha.
Ardhja në krye të shtetit e Berishës, deri në atë periudhë kryetar i partisë së parë pluraliste opozitare, e vendosi në sprovën më të madhe. Deri në vitin 1997, kur u largua nga detyra që përkoi me fillimin e mandatit të tij, vendi kaloi disa kriza politike, si referendumi për Kushtetutën në vitin 1994, zgjedhjet e 26 majit të vitit 1996, apo edhe trazirat e vitit 1997. Berisha nuk arriti në asnjë moment që të ishte president mbi palët dhe të kishte autoritetin për të ndërmjetësuar palët. PD-ja dhe PS-ja ishin në skajet ekstreme dhe u desh ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar për të ulur palët në bisedime. Diplomati austriak, Vranicki, ishte personi që arriti t’i ulte palët në bisedime. Me gjithë presionet e brendshme ndaj partive politike, siç ishte ai i Forumit për Demokraci, ndërmjetësimi ndërkombëtar ishte vendimtar për zgjidhjen e krizës.
Edhe presidenti Rexhep Meidani, një intelektual dhe profesor i ardhur rishtas në radhët e Partisë Socialiste, nuk arriti që të merrte statusin e negociatorit. Institucioni i Presidentit nuk arriti të ndikojë në klimën politike për arritjen e konsensusit, as në rastin e bojkotit të stërzgjatur të opozitës së asaj kohe, as në trazirat e shtatorit të vitit 1998 dhe as në referendumin për Kushtetutën e re, e cila u miratua pa pëlqimin e PD-së së zotit Berisha në nëntorin e vitit 1998.

Një model mbi palët
Ardhja në krye të shtetit e zotit Alfred Moisiu më 24 korrik 2002, si rezultat i kushteve të vëna nga ndërkombëtarët dhe një konsensusi të arritur mes Fatos Nanos dhe Sali Berishës, solli shanse të mëdha për të pasur një president që qëndron mbi palët. Propozimi për këtë kandidaturë erdhi nga Partia Demokratike, por ishte pikërisht ky subjekt politik që disa kohë më vonë nuk do ta pranonte si të tillë. Me gjithë tensionet politike dhe kritikat që i vinin nga selia blu, askush nuk ia hoqi të drejtën që të fliste dhe të merrte vendime si një president i zgjedhur konsensualisht nga dy partitë më të mëdha në vend. Roli i ekuilibruar që luajti në vitin 2005 mes dy partive politike dhe garancitë që ofroi ai për zhvillimin e një procesi, ishin sprova e parë e kaluar me sukses, e cila përkoi edhe me rrotacionin të pushtetit të zhvilluar në mënyrë demokratike. Pika më kritike ishin zgjedhjet për pushtetin vendor, në fillimin e vitit 2007, kur Partia Socialiste hezitoi të hynte në proces, për shkak të mungesës së garancisë për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nga qeveria e drejtuar nga zoti Berisha. Madje, këto hezitime sollën edhe shtyrjen e afateve kushtetuese për realizimin e zgjedhjeve në kohë. Në këtë rast, zoti Moisiu arriti të ruajë ekuilibrat dhe të ofrojë kontributin për zbutjen e klimës së mosbesimit, e cila pasoi me zhvillimin e zgjedhjeve të 13 shkurtit të vitit 2007.

Ndërmjetësimi, i pamundur?
Ardhja në krye të Presidencës e zotit Bamir Topi prishi frymën konsensuale të palëve, duke prodhuar një president, i cili vinte nga radhët e Partisë Demokratike. Ky handikap u pasua me ndryshimet kushtetuese të 21 prillit të vitit 2008, të cilat sollën zbehjen e rolit të Presidentit në jetën politike të vendit. Tashmë, presidenti nuk prodhohet domosdoshmërisht me një kuorum të madh prej 84 votash në Kuvendin e Shqipërisë. Për pasojë, roli i kreut të shtetit është zbehur në mënyrë graduale. Kjo u duk që në momentin kur opozita paralajmëroi bojkotin e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit. Gjatë gjithë kësaj periudhe 7-mujore, zoti Topi nuk ndërmori asnjë nismë publike për të ftuar palët në tryezë. Do të duhej që kriza të kulmonte me protestat e njëpasnjëshme të opozitës dhe për të ardhur te Rezoluta e Këshillit të Europës, që Presidenti të cytej për të hyrë në lojë. Para kësaj periudhe kanë ndodhur disa zhvillime pa rezultate, madje pati edhe një takim mes presidentit Topi dhe kryetarit të PS-së, Rama, por që nuk solli ndryshim klime. Përfaqësuesit e ambasadave dhe organizatave ndërkombëtare në Tiranë e lanë situatën të rridhte deri në fundin e vitit 2009, duke u mjaftuar vetëm me mesazhe, apo ndonjë takim rutinë. Kësaj radhe ishte sërish PD-ja që synoi të minimizonte rolin e Presidentit të zgjedhur nga radhët e saj. Një frymë e tillë u duk edhe nga qëndrimi i mbajtur nga deputetët e PD-së, anëtarë të delegacionit parlamentar shqiptar në Këshillin e Europës. Në këto momente, kur kriza është pranuar si e tillë edhe nga faktori ndërkombëtar dhe futja në lojë e kreut të shtetit është bërë më tepër si një presion nga jashtë, sesa si zhvillim i proceseve brenda spektrit politik shqiptar. Ekspertë të politikës dhe studiues të huaj, njohës të zhvillimeve politike dhe historike të Shqipërisë, kësaj radhe parashikojnë një krizë të thellë politike. Disa prej tyre janë skeptikë për rezultatin që mund të prodhojë një tryezë e ndërmjetësuar nga Presidenti Topi, të cilit i është kërkuar me forcë ta bëjë rolin e negociatorit nga faktori ndërkombëtar, në këmbim të mbështetjes që i kanë ofruar.
E gjithë kjo histori krizash të bën të mendosh se roli i presidentëve, në ndryshim nga tagri kushtetues, ka qenë periferik dhe në shumë pak raste ka përfunduar me sukses.

KUSHTETUTA PËR PRESIDENTIN

Neni 86

1. Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit.
………

Neni 87
(Ndryshuar me Ligjin Nr. 9904, datë 21.04.2008)

1. Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Një deputet nuk lejohet të propozojë në të njëjtën kohë më shumë se një kandidat.
2. Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime.
Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni.
3. Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
4. Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të votave. Votimi i pestë zhvillohet vetëm midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në votimin e katërt. Në rast se ka më shumë se dy kandidatë me të njëjtin numër votash, kandidati që merr pjesë në votim caktohet me short.
Në rast se pas votimit të katërt nuk ka mbetur asnjë kandidat në konkurrim, për këtë votim mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni. Kur paraqiten më shumë se dy kandidatë, votimi zhvillohet midis dy kandidatëve që kanë siguruar numrin më të lartë të deputetëve propozues.

5. Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt pa sukses nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet. Zgjedhjet e reja zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij.
6. Kuvendi pasardhës e zgjedh Presidentin e Republikës me shumicën e të gjithë anëtarëve të tij.”.

Neni 88
(Ndryshuar me Ligjin Nr. 9904, datë 21.04.2008)

1. Presidenti i Republikës, në çdo rast, zgjidhet për 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
“2. Mandati përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të pestë nga data e betimit si President i Republikës. Mandati i Presidentit zgjatet vetëm në kohë lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo.
...........
4. Presidenti që jep dorëheqjen para mbarimit të mandatit të vet, nuk mund të kandidojë në zgjedhjen presidenciale që bëhet pas dorëheqjes së tij".

2. Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij.

Presidentët e Shqipërisë dhe krizat

30 prill 1991: Parlamenti zgjedh President të Republikës Ramiz Alinë
Kriza e fundvitit 1991 dhe dekretimi i zgjedhjeve të parakohshme

9 prill 1992: Parlamenti zgjedh President të Republikës Sali Berishën
Kriza gjatë referendumit për Kushtetutën në vitin 1994, kriza gjatë zgjedhjeve të 26 majit 1996

3 mars 1997: Parlamenti rizgjedh President të Republikës Sali Berishën
Trazirat e vitit 1997

24 korrik 1997 Parlamenti zgjedh President të Republikës Rexhep Meidanin
Bojkoti i stërzgjatur i PD-së, trazirat e shtatorit të vitit 1998 dhe referendumi për Kushtetutën në nëntor të vitit 1998

24 korrik 2002: Parlamenti zgjedh President të Republikës Alfred Moisiun
Ndërmjetësimi në krizën për zgjedhjet e pushtetit vendor në shkurt të vitit 2007

20 korrik 2007 Parlamenti zgjedh President të Republikës Bamir Topin
Kriza aktuale, pas bojkotit të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009 nga opozita

5 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›