E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS, propozimet që do të parashtrojnë në tryezën e Topit

Presidenti shprehet i gatshëm për dialog me palët
Eljona Ballhysa
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka reaguar dje duke u shprehur se mirëpret gatishmërinë dhe vullnetin për dialog të partive politike. Kjo deklaratë e Topit erdhi pas shprehjes së qartë të gatishmërisë nga ana e kryeministrit Berisha për t’u ulur në një tryezë bisedimi. Nëpërmjet një njoftimi të shkurtër për mediat, të bërë publik në faqen zyrtare në internet të Presidencës, bëhet i ditur angazhimi i kreut të shtetit për të filluar negociatat me palët. “Presidenti i Republikës, Bamir Topi, duke ndjekur me vëmendje zhvillimet më të fundit politike në vend, mirëpriti gatishmërinë dhe vullnetin e shprehur për dialog të kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe udhëheqësit të opozitës, Edi Rama. Në kontekstin e ri politik, Presidenti i Republikës do të vijojë në ditët në vazhdim kontaktet paraprake të punës me kryeministrin e Shqipërisë dhe udhëheqësin e opozitës, si dhe me bashkësinë ndërkombëtare për të përgatitur termat e bisedimeve që do të zhvillohen gjatë tryezës së përbashkët”, - shkruhet në këtë njoftim zyrtar për shtyp. Ende nuk janë parashikuar modalitetet e mbajtjes së tryezës dhe faktorët që do të marrin pjesë në të, megjithëse në opinionin publik është përvijuar ideja se pjesë e saj do të jenë vetëm dy partitë kryesore në vend. Kjo është vënë re në përpjekjet e fundit publike që po bën LSI-ja e Metës, e cila, duke hedhur akuza kundrejt Ramës për përjashtimin e LSI-së nga tryeza, po përpiqet t’i dërgojë mesazhe Berishës. Ashtu sikurse flitet, në rast se LSI-ja do të përfaqësohet në tryezë, do të jetë si pjesë e maxhorancës. Gjithashtu, pjesë e negociatave për arritjen e tryezës do të jetë dhe faktori ndërkombëtar. Lëvizjet e ambasadorëve arritën ta bindnin kryeministrin që të pranonte rolin e Presidentit si negociator.
Tryeza
Megjithatë, deri në uljen në një tryezë të përbashkët bisedimi, të dyja kampet e politikës së pari do të ngrenë grupet e negociatorëve që do të punojnë për paketën e propozimeve. Ndërkaq, edhe Presidenti do të ngrejë grupin e tij negociator që do të jetë ndërlidhësi mes palëve, sigurisht nën mbikëqyrjen e faktorit ndërkombëtar. Ulja e palëve në një tryezë diskutimi nënkupton faktin se ata do të parashtrojnë një sërë propozimesh dhe kërkesash. Pika e nxehtë e këtyre negociatave pritet të jetë hapja ose jo e kutive të votimit. Partia Socialiste e konsideron këtë si kushtin kryesor për t’i dhënë fund bojkotit të Parlamentit. Por, nga ana tjetër qëndron Partia Demokratike me qëndrimin e saj diametralisht të kundërt. Kreu i PD-së, Berisha, është shprehur pro hetimit parlamentar të procesit zgjedhor duke përjashtuar në mënyrë kategorike hapjen e kutive të votimit dhe rinumërimit të votave. Në paketën e propozimeve që Partia Socialiste do të parashtrojë në tryezën e Presidentit zë vend kërkesa për miratimin e një ligji të veçantë që i hap rrugën hetimit të zgjedhjeve. Socialistët do të kërkojnë ngritjen e menjëhershme të një komisioni të posaçëm me prezencën e OSBE-ODIHR-it, që do të drejtohet nga opozita, e cila do të jetë në maxhorancë në këtë komision. Ata do të kërkojnë që të garantohet e drejta e opozitës për të bërë transparencën e dëshmive për parregullsi gjatë procesit zgjedhor. Socialistët kërkojnë identifikimin e përgjegjësve, zyrtarëve nga Ministria e Drejtësisë ose nga Drejtoria e Burgjeve që kanë dhënë urdhër për të liruar të burgosurit gjatë periudhës zgjedhore. Një tjetër pikë që ata kërkojnë është rikthimi në postet e tyre të nëpunësve të shtetit në pushtetin qendror dhe vendor, të cilët janë hequr nga puna pasi mbështetën PS-në. Socialistët kërkojnë në paketën e kushteve për t’i dhënë fund bojkotit, ndryshime ligjore për të siguruar balancën mes qeverisë dhe opozitës në Këshillin Kombëtar të RTV-së, si dhe zbardhjen vrasjes së deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi, me pjesëmarrjen e hetuesve ndërkombëtarë të pavarur.
Lëshimet
Ulja në një tryezë bisedimi nënkupton që palët do të lëshojnë disa nga kërkesat e tyre. Në publik kryeministri Berisha është shprehur se është i gatshëm që t’i japë opozitës shumicën në komisionin hetimor parlamentar, si dhe të drejtën për të propozuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor, çka përfshin dhe ndryshimin e sistemit elektoral, duke kërkuar një sistem të ri elektoral që mendohet se mund të favorizojë opozitën. Nëse opozita do të ishte kënaqur me kaq, kriza politika do të kishte përfunduar me kohë. Ndaj pritet që në tryezën e negocimeve të hidhen kërkesa të tilla si balancimi i institucioneve kushtetuese, duke përfshirë këtu të drejtën e opozitës për t’u përfaqësuar në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë. Por, një tjetër kërkesë pritet të jetë e drejta e opozitës për të drejtuar komisionet më të rëndësishme parlamentare nga ku kalojnë projektligjet e qeverisë. Kjo do t’i jepte mundësinë Partisë Socialiste të shqyrtonte me detaj çdo projekt apo vendim dhe të kishte mundësinë e ndryshimit të tyre. Por, ashtu sikurse pohojnë burimet konfidenciale, në tryezën e bisedimeve pritet të bisedohet edhe për presidentin e ardhshëm, se cilës parti do t’i përkasë. Në këtë kërkesë pritet të ketë një lëkundje të maxhorancës në qoftë se do të duhet të zgjedhë mes zgjedhjeve të parakohshme dhe postit të Presidentit.

Lëshimet e mundshme në tryezën e Presidentit
Opozita të marrë shumicën dhe drejtimin e komisionit hetimor parlamentar.
Opozita të ketë përfaqësim në institucionet kushtetuese, si në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë.
Opozita të ketë të drejtën për të propozuar ndryshimet në Kodin e ri Zgjedhor.
Opozita të ketë të drejtën të zgjedhë sistemin e ri zgjedhor.
Opozita të ketë të drejtën të drejtojë shumicën e komisioneve të përhershme parlamentare.
Opozita të ketë të drejtën që të propozojë emrin e Presidentit të ardhshëm të vendit.

Kërkesat e PS-së për t’i dhënë fund bojkotit:

Miratimi i një ligji të veçantë që i hap rrugën hetimit të zgjedhjeve.

Ngritjen e një komisioni të posaçëm me prezencën e OSBE/ODIHR-it që do të drejtohet nga opozita, e cila do të jetë në maxhorancë në këtë komision.

Garantimi e së drejtës për të bërë transparencën e dëshmive për parregullsi gjatë procesit zgjedhor.

Identifikimin e përgjegjësve, zyrtarëve nga Ministria e Drejtësisë ose nga Drejtoria e Burgjeve që kanë dhënë urdhër për të liruar të burgosurit gjatë periudhës zgjedhore.

Rikthimin në postet e tyre të nëpunësve të shtetit në pushtetin qendror dhe vendor që janë hequr nga puna pasi mbështetën PS-në.

Ndryshime ligjore për të siguruar balancën mes qeverisë dhe opozitës në Këshillin Kombëtar të RTV-së.

Transparencë në zbardhjen dhe investigimin e vrasjes së deputetit të PS-së Fatmir Xhindi me pjesëmarrjen e hetuesve ndërkombëtarë të pavarur.

Rekomandimet e OSBE-së për ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Të përmirësohet regjistri për statusin civil dhe regjistri zgjedhor; në këtë kontekst, të gjendet një zgjidhje për të drejtën e votimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë.

Të përmirësohet mbulimi i aktiviteteve nga media si dhe ndarja e fondeve publike gjatë fushatave që është në dëm të partive politike joparlamentare.

Të përmirësohen rregullat e transparencës së pronarëve të mediave.

Të rregullohet mënyra e shpërndarjes së anëtarëve të komisioneve lokale zgjedhore, që është i papajtueshëm me kushtin për administrim zgjedhor profesional dhe të paanshëm.

Duhet të rishikohen dispozitat e dyshimta për përfshirjen e grave në listat e kandidatëve, në mënyrë që të garantohet që kandidatet gra të jenë në renditje të favorshme.

Nevoja për të shfuqizuar dispozitat që u japin të drejta speciale kryetarëve të partive për të kandiduar të parët në lista dhe në të gjitha qarqet.

5 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›