Krizë e thellë te hoteleria dhe turizmi
Industria shqiptare e hotelerisë dhe turizmit duket se pësoi krizë të rëndë në fund të vitit të kaluar, kur numri i klientëve u reduktua ndjeshëm dhe një pjesë e punonjësve humbën vendin e punës. Lajmi bëhet i ditur nga një publikim i Institutit të Statistikave, i quajtur “Statistikat afatshkurtra”.
Xhiroja e industrisë hotelerike në Shqipëri ra me 8.4 për qind në bazë vjetore në tremujorin e katërt të vitit 2009, gjë që solli rënie të numrit të të punësuarve me 5.4 për qind, sipas INSTAT.
“Shifra e afarizmit në volum, vlerësuar me çmime fikse, deflatuar me Indeksin e çmimeve të Konsumit, me vit bazë 2005=100, në tremujorin e katërt 2009, është ulur me 20.4 për qind krahasuar me tremujorin e tretë 2009. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2008 është rritur 8.4 për qind. Numri i të punësuarve në hotele është ulur 18.1 për qind në tremujorin e katërt 2009 krahasuar me tremujorin e tretë 2009, ndërsa pagat e paguara janë ulur 15.5 për qind gjatë së njëjtës periudhë”, thotë INSTAT.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i të punësuarve është ulur 5.4 për qind, ndërsa pagat janë rritur 10 për qind.
Shqiptarët nuk i frekuentojnëNumri i klientëve shqiptarë është ulur 61.6 për qind në tremujorin e katërt 2009 krahasuar me tremujorin e tretë 2009, ndërsa numri i klientëve të huaj është ulur 43.2 për qind në të njëjtën periudhë.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i klientëve shqiptarë është ulur 20.1 për qind dhe numri i klientëve të huaj është rritur 1.6 për qind. Netqëndrimet e klientëve shqiptarë janë ulur 79.4 për qind në tremujorin e katërt 2009 krahasuar me tremujorin e tretë 2009, ndërsa netqëndrimet e klientëve të huaj janë ulur 66.9 për qind gjatë së njëjtës periudhë.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, netqëndrimet shqiptare janë ulur 31.9 për qind, ndërsa netqëndrimet e huaja janë ulur 1.1 për qind. Shifra e afarizmit në Agjencitë e Udhëtimit ulet me 34.7 për qind në tremujorin e katërt 2009 krahasuar me tremujorin e katërt 2008. Ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës, rënia është 29.9 për qind. Segmenti i shërbimeve që ofrohen nga agjencitë e udhëtimeve duket se është goditur veçanërisht rëndë nga kriza, pasi shitjet e tyre kanë pësuar rënie dyshifrore gjatë të gjithë vitit 2009. Agjencitë e udhëtimeve në Shqipëri funksionojnë si shërbime miks shitje biletash transporti dhe shërbimesh të tjera, gjë që e ka zbutur barrën e krizës, pasi segmenti i shitjeve të biletave të udhëtimit ka pësuar rritje të konsiderueshme.
#