E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, letër Barrosos: Kriza politike të mos shërbejë si penalizim për vizat

“Apelin për moskushtëzimin e kësaj procedure e kemi bërë pa pushim”

Një letër në adresë të Presidentit të Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso, është zgjedhur nga Partia Socialiste si rrugë për të shprehur qëndrimin e vet politik për liberalizimin e vizave. E firmosur nga kryetari i saj, Edi Rama, ajo i është nisur dje kreut të KE-së, të cilit i shprehet mirënjohje dhe falënderim për këtë akt me rëndësi për vendin. “Ju shkruaj me mirënjohjen e thellë për lajmin e mirë se institucioni që Ju drejtoni do t’i propozojë në Samitin e Sarajevës, vendeve anëtare të Bashkimit Europian heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë...është ky rasti më i mirë për mua që t’Ju falënderoj në emër të opozitës shqiptare për koherencën që Ju personalisht, e Komisioni Europian po ashtu, keni manifestuar në vijimësi për ta nxitur, mbështetur e përfshirë Shqipërinë në rrjedhën e bashkëjetesës europiane...”, thuhet në letrën e Edi Ramës drejtuar Barrosos. Falënderime dhe mirënjohje, që si të tilla nga ana e vet vlerësojnë qëndrimin e komunitetit ndërkombëtar, për të lënë në heshtje kontributin e palës shqiptare, që përfshin të dyja partitë kryesore. Kriza i është mbivendosur çdo lloj etike komunikimi, për t’u shpalosur si tipar dominues thelbësor në mendësinë e politikës shqiptare. Të ndara edhe në këtë ngjare, pozita dhe opozita po ecin në rrugë të ndryshme, për të vijuar me mbajtjen në këmbë të luftës reciproke që me adresimin e vet në tryezën e komunitetit ndërkombëtar, vetëm sa konfirmon stadin e demokracisë në Shqipëri. Përtej ceremonialit hyrës, Rama nuk ka munguar që të bëjë një apel në formë lutjeje, sikurse shkruan ai për moskushtëzimin e vendimit për liberalizimin e vizave. “Lejomëni t’Ju lutem zoti President që lëvizja e lirë e shqiptarëve të mos varet a lidhet në asnjë mënyrë me çfarëdo problemi që Shqipëria sot ka, për shkak të mungesës së transparencës dhe të kushtetutshmërisë në një sërë aspektesh të administrimit të punëve të vendit, duke filluar nga vetë Parlamenti, ku këto mungesa themelore fatkeqësisht ndeshen rëndom. Apelin për moskushtëzimin e kësaj procedure të shumëpritur e kemi bërë pa pushim, në Tiranë, Bruksel, Strasburg, Pragë, Sarajevë, kudo...”, nënvizon kreu socialist. Me një kërkesë zyrtare, opozita i kërkon KE-së miratim për heqjen e vizave teksa i kujtohet kriza që mund të kushtëzonte një vendimmarrje të tillë. I referohet mungesa e transparencës që është tipar i vendeve jashtë standardit demokratik, pavarësisht se ky shqetësim i nënrenditet kërkesës për të stabilizuar regjimin e lëvizjes së lirë. Ky qëndrim i shprehur në letrën e djeshme, që ndërthur falënderimin me apelin për vëmendje ndaj krizës, në një farë mënyre synon të shmangë praktikën e Kryeministrit, për të pronësuar vendimin e KE si pjesë ekskluzive të suksesit qeverisës. Precedenti i anëtarësimit në NATO dhe ngritja e fushatës elektorale mbi këtë arritje që finalizoi kontributet edhe të socialistëve, riciklohet me liberalizimin e vizave, që me gjasë mund të promovojë fushatën e radhës në Tiranë. Akti i pritshëm i Samitit të Sarajevës, në vështrimin e kreut socialist, është vetëm një akt me rëndësi, që përcjell mirëkuptimin dhe komunitetit europian ndaj popullit shqiptar, por që shoqërohet nga nevoja për një përkushtim të ri dhe serioz të politikës që vështirë se mund të ecë ende me manovrat e deritanishme. “Kjo periudhë do jetë vendimtare për vendin tim dhe liberalizimi pa kushte i vizave me Shqipërinë do të inkurajonte padyshim edhe kapërcimin e pengesave të vështira, me të cilat përballet sot shoqëria shqiptare në ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale”, nënvizon Edi Rama në letrën e tij për Presidentin e KE-së, Hose Manuel Barroso.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›