Krizë, edhe La Liga nuk shpenzon si dikur

Jordi Alba është i vetmi përforcim me çmim të konsiderueshëm (14 milionë euro) i zyrtarizuar deri më tani gjatë kësaj vere në La Liga. Ai braktisi Valencian për të kaluar në Barcelonë. Bëhet fjalë për rikthimin e tij në klubin e fëmijërisë. “Me rëndësi është të mbajmë yjet”.
Ky mund të jetë qëndrimi i gjigantëve spanjollë si Real Madridi dhe Barcelona. Dhe të tillë janë mjaft nga Lionel Messi e Cristiano Ronaldo tek të tjerët, përfshirë Iker Casillasin, Xavi Hernandezin e Andres Iniestan. Kjo ‘heshtje’ mund të thyhet vetëm nga Reali, që spekulohet se është i gatshëm të ofrojë 40 milionë euro për mesfushorin e Tottenhamit, Luka Modric.
Por, sipas gjendjes aktuale, kriza globale financiare ndihet edhe në Spanjë. Futbollisti i dytë më i shtrenjtë i kësaj vere në Spanjë është Joao Pereira, i cili iu bashkua Valencias për 3.7 milionë euro.