E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, grabitet me armë banka

Autori i Lajmit: Redaksia
“Raiffeisen Bank” bie sërish pre e grabitjeve. Një person i armatosur dhe me maskë ka kryer grabitjen e një filiali banke në Fier, në mes të ditës. Nën kërcënimin e armës, një djalë i gjatë, rreth të 30-ave, mori një shumë të konsiderueshme parash nga sporteli i bankës. Mësohet se autori ka qëlluar me armë brenda bankës, me qëllim trembjen e personave të pranishëm dhe personelit duke e bërë më të lehtë dorëzimin e parave. Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se autori i grabitjes u largua nga vendi i krimit me një automjet pa hequr maskën e zezë që mbante në kokë. Policia ka rrethuar gjithë zonën ku ndodhi ngjarja, por deri në orët e vona të mbrëmjes nuk ka rënë në gjurmët e autorit.

Ngjarja

Grabitet banka në qytetin e Fierit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:10 minuta, ku është grabitur filiali i “Raiffeisen Bank”. Mësohet se grabitësi ka qenë i armatosur dhe i maskuar në momentin që ka hyrë në filialin e bankës. Grabitësi ka kërcënuar arkëtaren dhe, pasi ajo ka bërë rezistencë, ka shtënë në ajër me armë. Në momentin e grabitjes në bankë nuk kishte asnjë klient dhe kjo e ka favorizaur më shumë grabitësin. Nuk dihet ende shuma e parave të grabitura, ndërsa grabitësi ka mundur të largohet me paratë e marra nga banka. Arkëtarja nuk ka pësuar dëme fizike dhe pritet që kjo e fundit, pas rrëfimit në polici, të zbardhë më shumë detaje nga grabitja. Sipas Policisë së Fierit, një person rreth të 30-ave ka hyrë i maskuar dhe i armatosur në bankë për të grabitur, ndërsa bëhet e ditur se po verifikohet shuma e grabitur dhe të dhënat apo dëshmitë rreth autorit.

Dëshmia

Arkëtarja ka pohuar për policinë se grabitësi i ka drejtuar armën dhe, nëse nuk i jepte të gjitha paratë që ndodheshin në arkë, ai do të qëllonte. Sipas policisë, dyshohet se në arkë ndodheshin rreth 200 mijë lekë. Punonjësit që gjendeshin te sporteli i janë bindur urdhrit të tij, duke mos e kundërshtuar. I kanë dhënë paratë që kishin në kasë. Pasi i mori me një qeskë, doli nga dera e bankës dhe u largua. Menjëherë pas kësaj, vetëm 5 minuta nga vjedhja, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë.

Hetimet

Dëshmitarë okularë në vendngjarje dhe ata policorë, thanë se është grabitur me dhunë dega e “Raiffeissen Bank” që ndodhet në qendër të qytetit të Fierit. Grupi hetimor që po merret me hetimin e grabitjes së filialit të "Raiffeisen Bank", ende nuk ka arritur të identifikojë autorin, edhe pse ka pyetur me radhë të gjithë dëshmitarët që kanë qenë në vendngjarje dhe punonjësit e bankës. Autori i grabitjes me armë zjarri është një person në moshë të re, me trup të vogël. Në të vërtetë, sipas dëshmitarëve, në vendngjarje dhe punonjësve të filialit bankar, autori e kishte mbuluar fytyrën e tij me një maskë, duke u përpjekur që të mos identifikohej nga askush.

20 qershor 2008

Kohë më parë, një tjetër grabitës vodhi një filial të “Raiffeisen Bank” te Zogu i Zi, i cili u arrestua pak kohë më vonë, pas hetimeve të policisë. Dëshmitarët në bankë kanë treguar për policinë se personi ishte i moshës rreth 25 vjeç, i maskuar me kapuç dhe i armatosur. Pas grabitjes së lekëve, personi sipas dëshmitarëve është larguar me shpejtësi. Policia është njoftuar menjëherë për grabitjen nga ana e kolegëve të arkëtares, të cilët kanë shtypur butonin e sigurisë për njoftimin e policisë.

22 nëntor 2008

Me maskë në kokë dhe pistoletë në dorë, një i ri ka hyrë në ambientet e bankës, ka qëlluar dy herë në ajër, e duke bërtitur ka marrë 800 mijë lekë nga arkëtarja, të cilës i ishte drejtuar arma në fytyrë. E terrorizuar, ajo ka mbushur çantën me para dhe ia ka dhënë grabitësit, për të cilin mendohet se është vetëm 17 ose 18 vjeç. Nga të dhënat hetimore rezultoi se autori, në momentin që ka hyrë në ambientet e bankës, ka kërcënuar nëpërmjet pistoletës punonjësen e arkës, për të marrë shumën e parave që ndodheshin aktualisht në arkë, shumë e cila ishte rreth 800 mijë lekë.

18 prill 2009

“Raiffeisen Bank” bie sërish pre e grabitjeve. Persona të armatosur dhe me maska kanë kryer grabitjen e një filiali banke në kryeqytet në mes të ditës. Ngjarja ka ndodhur në degën pranë restorantit “Durrësi”, ku sipas njoftimit zyrtar nga zyra e “Raiffeissen Bank, ka hyrë një njeri i maskuar dhe me armë, i cili duke kërcënuar një arkëtar, ka mundur të rrëmbejë paratë e gjendura në banak. Por, mësohet se dy grabitësit kanë rrëmbyer edhe kasetat filmike. Fatmirësisht, asnjë nga klientët apo stafi i degës së bankës nuk është plagosur apo dëmtuar.

Ky lajm është publikuar: 14/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›