Krizë në Portin e Durrësit, anijet vijnë pothuajse bosh
Kriza ekonomiko-financiare ulet këmbëkryq duke u reflektuar dhe në volumin e përpunimit të mallrave në portin më të madh të vendit, në Durrës. Kriza duket se ka prekur ndjeshëm sektorin e ndërtimit në vend dhe jo vetëm atë. Këtë e dëshmojnë jo vetëm ata që operojnë në këtë sektor, por edhe ulja e sasisë së mallrave të importuara. Aktualisht në port po përpunohen qepë, patate dhe çimento. Kriza është ndier që gjatë vitit të kaluar dhe është pasqyruar edhe në plan-biznesin e portit detar. Parashikimet në importe ngelen në nivelet e atyre të vitit të kaluar, madje diçka më pak. Rritje janë parashikuar vetëm në importin me kontejnerë, por statistikat krahasuese në përgjithësi flasin për rënie të mallrave të importuara. Kështu, megjithëse gjatë janarit të këtij viti ka pasur rritje të mallrave të importuara me kontejnerë në total janë përpunuar 123 530 tonë mallra, nga 150 534 tonë të importuara në janar të vitit të kaluar. Nuk është më rastësi që kalatat portuale të jenë të boshatisura. Asnjë anije në përpunim nuk duket në to. Në Portin Detar të Durrësit dje ishin të ankoruara vetëm dy anije të ngarkuara njëra me çimento dhe tjetra me patate e qepë, ndërsa tre të tjera ishin bosh. Ndërkohë në radën portuale qëndrojnë në pritje tri anije, dy prej të cilave me grurë dhe një tjetër me llamarinë. Në portin detar më të madh shqiptar importet e materialeve të ndërtimit kanë regjistruar rënie këtë fillimviti krahasuar me një vit më parë. çimento, hekuri, pllakat, tullat dhe materiale të tjera të ndërtimit janë importuar në sasi më të vogla se një vit më parë. Statistikat zyrtare të përpunimit të mallrave në Portin e Durrësit gjatë muajit janar të këtij viti në krahasim me ato të një viti më parë janë tregues i importeve që kanë ardhur në rënie, ndërsa eksportet kanë njohur rritje. Një rënie të theksuar ka pasur në importin e hekurit dhe të çimentos slinge. Edhe perimet e importit në këtë periudhë të vitit kanë regjistruar tonazhin zero, ndërsa në janarin e vitit të kaluar patën hyrë në vend 160 tonë. Pozitive duket rritja e eksporteve nga ky port. Kështu, eksporti ka shënuar një rritje prej afro 44 mijë tonësh më shumë. Rritja është reflektuar kryesisht në sasinë e eksportit të ferrokromit e kromit dhe kjo është parashikuar dhe në plan-biznesin e portit, në bazë të marrëveshjeve paraprake me subjektet.
#