Në gjyq, ish-shefja e gjendjes civile
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për ish-shefen e Zyrës së Gjendjes Civile nr.7 në Tiranë nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Arta D akuzohet se ka falsifikuar disa certifikata gjatë kohës që ushtronte detyrën. Dosja është regjistruar në gjykatë dhe mban numrin 1104, ndërsa gjyqtari që do e shqyrtojë këtë dosje është Arjan Aliaj. Sipas akuzës, ish-shefja e zyrës së gjendjes civile dyshohet se ka “gabuar” një germë në certifikatën që është porositur nga një shtetase, edhe kjo e arrestuar. Sipas të dhënave, certifikata do të paraqitej në polici për të marrë pasaportë për një emigrante shqiptare, e cila qëndron në Greqi. Pikërisht në emrin e emigrantes e cila kërkonte të pajisej me pasaportë është bërë edhe gabimi në plotësimin e certifikatës. Burimet nga prokuroria thanë se verifikuan me hollësi në çfarë rrethanash është bërë gabimi me një germë të vetme dhe nëse ky veprim i plotëson kushtet e falsifikimit.
#