Bordet e shkollave ekzistojnë, por nuk funksionojnë
Bordet e shkollave, ndonëse janë ngritur pranë këtyre institucioneve arsimore, funksionojnë shumë pak ose aspak. Një fakt të tillë e pohojnë vetë specialistët e arsimit, por edhe përfaqësues të këtyre bordeve. Në një udhëzim të veçantë të Ministrisë së Arsimit parashtrohen të gjitha rregullat dhe kompetencat në ushtrimin e detyrës së këtyre bordeve të shkollave. Por duket se ajo që është e shkruar qëndron shumë larg nga realiteti. Drejtues të shkollave pohojnë se bordet ekzistojnë dhe ndonjëherë edhe mblidhen, por vendimmarrja për çështje të rëndësishme, si shpërndarja e fondeve apo investimet në shkolla as që bëhet fjalë që mund t’i kryejnë këto struktura. Sipas specialistëve të arsimit, një rol jo fort mbështetës luajnë në këtë drejtim edhe pushtetet vendore, të cilët në kuadër të decentralizimit të kompetencave merren edhe me “financat” e shkollave. Ndërkohë që vetë bordet e shkollave që kanë ekzistuar edhe më parë, por pa pasur një status apo një paketë të mirëpërcaktuar kompetencash nuk arrijnë dot të luajnë rolin që ato kanë, të paktën si modelet e tyre në shkollat perëndimore. Në përbërjen e tyre duhet të angazhohet komuniteti i zonës ku gjendet institucioni shkollor. Ndërkohë që ato do të konsideroheshin si të vlefshëm dhe vërtet funksionues nga specialistët e arsimit vetëm në rast se do të vendosnin për emërimin e mësuesve apo të vetë drejtuesit të shkollës. Kështu që nuk do të kishte vend për arsimtarë që abuzojnë me detyrën duke mos iu përkushtuar nxënësve apo orës së mësimit. Nga ana tjetër, përfaqësues të këtyre bordeve shkollore pohojnë se fare mirë ata mund të vendosnin edhe për pagat e mësuesve, ku më të mirëve duhet t’u caktohen edhe shpërblime suplementare. Këtë nuk mund ta bëjnë strukturat e drejtorive arsimore, thonë përfaqësues të bordeve, por njerëz që janë direkt të interesuar për mbarëvajtjen e shkollës, pasi ajo është në dobi të arsimimit të fëmijëve të tyre.
Më e rëndë është kjo situatë sidomos në shkollat e komunave ku investimeve në shkolla u kushtohet fare pak rëndësi, kjo edhe për shkak të fondeve të limituara. Por ajo që kërkojnë specialistë të arsimit është llogaritja e kostos së shërbimit për nxënësit dhe më pas ndarja e fondeve sipas numrit të këtyre nxënësve. Sipas tyre, ndonëse kjo tingëllon si e parakohshme për vendin tonë në fakt do të ishte një zgjidhje shumë e mirë, që do të krijonte mundësi që një shkollë të kishte biblioteka të mbushura me libra të hershëm e të kohëve të fundit, të kishte oborre të mbuluara nga gjelbërimi, madje edhe tualete më dinjitoze për nxënësit e saj. Aktualisht, mënyra e ndarjes së grantit të qeverisë për shkollat është një pikëpyetje e madhe edhe për vetë drejtuesit e shkollave, kryesisht të zonave rurale.
#