UP, konkursi për regjistrimin e studentëve të rinj më 7 korrik

Universiteti i Prishtinës për këtë vit akademik pritet të regjistrojë rreth 11.500 studentë të rinj në të gjitha njësitë e veta akademike. Përfaqësuesit e Rektoratit thonë se janë bërë të gjitha përgatitjet që konkursi për regjistrim të hapet më 7 korrik.
Prorektori për çështje akademike në UP, Bajram Berisha ka thënë për Kosovapress se pritet që pas vendimit për akreditimin ose mos akreditimin e programeve të UP-së,i cili pritet të merret më 6 korrik nga Këshilli Kombëtar i Cilësisë, UP-ja do të hapë konkursin për studentë të rinj.
Berisha deklaroi se rektorati ka kërkuar nga njësitë akademike që të sjellin numrin për të cilët mendojnë që kanë kushte të përshtatshme për të regjistruar dhe këtë numër të studentëve e kanë dërguar në Ministrinë e Arsimit, në mënyrë kjo e fundit të verifikojë dhe eventualisht të kërkojë ndonjë ndryshim, dhe pas kësaj ky numër dërgohet në senat për aprovim.
Ai po ashtu theksoi se sipas kërkesës së njësive akademike numri i studentëve të regjistruar rishtazi do të jetë rreth 11.500, në studimet të rregullta.