E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krizë totale në Liri

Liria po e përjeton një sezon shumë të vështirë. Kjo skuadër është zhytur në një krizë me dy tehe. Bardhezinjtë janë në krizë të rezultateve, por edhe financiare. Kanë kaluar katër muaj që futbollistët prizrenas nuk kanë marrë rroga, e po ashtu nuk kanë mundur t’i fitojnë më shumë se dy ndeshje. E krejt këtë krizë, trajneri Skënder Kapra e ndërlidh me faktin që stadiumit të tyre i është vënë dryni.

Liria po e përjeton një edicion shumë të vështirë. Skuadra prizrenase është zhytur në një krizë me dy tehe. Përveç rezultateve të dobëta nëpër të cilat po kalon, kriza e madhe financiare po ia shton dhimbjet skuadrës prizrenase.

Kanë kaluar katër muaj që futbollistët e saj nuk kanë marrë paga. E kjo ka bërë që morali të bie te bardhezinjtë, të cilët nuk kanë mundur t’i fitojnë më shumë sesa dy ndeshje, prej katërmbëdhjetë sa i ka zhvilluar deri më tani.

Fitoren e fundit bardhezinjtë e kanë shënuar para pesë javësh në duel me Besën, edhe atë pas një kohe të gjatë. Ndërsa, në pesë duelet e fundit i ka regjistruar tri barazime e dy humbje. Kështu, me vetëm 12 pikë të tubuara, Liria pozicionohet në vendin e parafundit të renditjes tabelore.

E për këtë bilanc negativ të rezultateve, trajneri Skënder Kapra ia hedh fajin faktit se Liria të gjitha ndeshjet është duke i zhvilluar jashtë Prizrenit, ngase stadiumi i saj është në gjendje të rëndë infrastrukturore, gjë që e ka shty Federatën e Futbollit të Kosovës ta pezullojë atë.

“Përveç ndeshjeve si mysafirë, ne edhe ndeshjet si vendës po i luajmë jashtë qytetit tonë. Njësoj sikurse mysafirë. Kjo ka ndikuar jashtëzakonisht shumë. Unë jam më se i bindur se sikur ndeshjet si vendas t’i luanim në stadiumin tonë në Prizren, do të ishim kah mesi i tabelës”, thotë Kapra.

Ai pranon se edhe mosdhënia e pagave futbollistëve nga ana e kryesisë së klubit e ka ndihmuar krizën e rezultateve ta godasë edhe më fort ekipin e tij.

“Nuk mund ta mohoj këtë. Sigurisht se te sportistët stimulimi çon peshë. Por, kryetari u ka premtuar futbollistëve se të gjitha obligimet do t’i kryejë ndaj tyre, por i ka lutur të kenë mirëkuptim”, theksoi ai.

“Por, edhe sikur obligimet të kryheshin me kohë ndaj futbollistëve dhe të paguheshin me shuma shumë të mëdha, mungesa e stadiumit tonë prapëseprapë do ta çonte në krizë rezultatesh. Mungesa e terrenit ndikon jashtëzakonisht shumë, për këtë të jeni të bindur”, shtoi Kapra.

Megjithatë, trajneri prizrenas shpreson që Komuna e qytetit të lashtë shumë shpejt do ta ndihmojë Lirinë rreth rregullimit të infrastrukturës në stadiumin ‘Përparim Thaçi’, në mënyrë që ky ekip ndeshjet e stinorit pranveror t’i luajë në folenë e vet. Kapra thotë se nëse kjo realizohet, atëherë ekipi i tij nuk do ta ketë të vështirë të mbijetojë në Superligë. Në të kundërtën, statusi i anëtarit të elitës Lirisë do t’i rrezikohet shumë seriozisht.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›