Nga gomonet në Empoli

Kur e sheh duke luajtur Elseid Hysajn, menjëherë thua se si është e mundur kjo. Ajo që bën djaloshi 18 vjeç është e mahnitëse, duke i kaluar vështirësitë me lojtarët më të vjetër që ka përballë. Futbollisti shqiptar i Empolit kishte një histori interesante, para se t’i jepej mundësia që të luajë në Serie B italiane.
Ishin sfidat e jetës ato që e bënë Hysajn të fortë dhe ai që është sot. Një jetë e shpejtë, por e pasur me ndjenja. Nga shpresa tek vuajtja për të përfunduar në gëzim. Po, pikërisht gëzimi, të cilin e ka provuar të mërkurën pas përfundimit të stërvitjeve, duke e nënshkruar kontratën e parë profesioniste me Empolin.
Një marrëveshje e re, e cila skadon më 30 qershor 2015, me një rritje të rrogës në krahasim me kontratën paraprake për të rinj, që e kishte nënshkruar vjet. Ishte diçka që nuk e kishte pritur, natyrisht, por nuk duhet harruar se në krahët e tij gjendet një e ardhme mjaft domethënëse. Si e shumë ‘vëllezërve’ të tij shqiptarë, edhe historia e Hysajt filloi me një gomone. Ajo e udhëtimit të shpresës. Nuk ka hipur në të ai, por babai Gzim.
Elseidi, i cili luan në pozitën e mbrojtësit, në atë kohë ishte vetëm disa muajsh (është lindur më 20 shkurt 1994) dhe babai i tij kishte vendosur, si shumë të tjerë, të largohej nga Shkodra për ta kërkuar fatin në një pjesë tjetër të Adriatikut.
Ndërsa Elseidi rritej me mamanë dhe gjyshërit në Shqipëri, duke luajtur futboll pikërisht në Shkodër, babai Gzim, i cili ndërkohë e kishte fituar lejen e punës, e bëri veprimin e duhur, që ia ndërroi jetën djalit të tij.
“Kur isha 15 vjeç kam shkuar në Monteboro, ku kam qëndruar disa ditë dhe natyrisht u pëlqeva. Pastaj fillova të luaja me grupmoshat dhe tash jam këtu ku jam, në Empoli, edhe pse në një moment flitej edhe për Fiorentinën”, thotë i riu Hysaj për të përditshmen italiane Il Tirreno, që ia kushtoi atij një tekst të veçantë.
Një djalosh i artë, i lidhur për një familje të cilën është dashur ta linte shumë shpejt. Kur të bëjë para, ai synon që ta transferojë tërë familjen në Itali. “Këtu në Itali jemi unë dhe babai, kurse mamaja ime shkon dhe vjen nga Shqipëria. Gjyshërit e mi gjenden në Shkodër. Sapo ta kem mundësinë do ta sjell tërë familjen këtu. Më mungojnë, më mungojnë shumë”, vazhdoi Hysaj i cili po fluturon nga gëzimi për nënshkrimin e kontratës së re.
“Jam mjaft i lumtur për kontratën e nënshkruar, sepse Empoli është ekipi që ma ka dhënë këtë mundësi të madhe, që më ka ndihmuar të rritem dhe jam i lumtur që po ia shpaguaj besimin që më është dhënë duke luajtur edhe me skuadrën e parë. Dëshiroj të shijoj shumë gëzime këtu dhe po e shijoj këtë moment pozitiv, që më në fund jemi duke e kaluar”, përfundoi ai.