Vëllaznimi, i zhytur në krizë
Vëllaznimi po kalon nëpër momente të vështira. Skuadra gjakovare ka pësuar katër humbje rresht në katër xhirot e fundit; nga Ferronikeli, Llamkos Kosova, Prishtina dhe së fundmi nga Trepça, duke zbritur dukshëm në pjesën e poshtme të tabelës.
Trajneri Malësor Gjonbalaj, i cili e zëvendësoi Skënder Shëngylin e shkarkuar, nuk e ka shijuar ende fitoren e as barazimin. Vdekja e babait i erdhi në momentin më të keq dhe kjo reflektoi tek skuadra gjakovare.
“Më erdhi në moment të keq, papritur dhe e vështirësoi situatën. Kur t’ia shtosh këtë periudhën e shkurtër që kam ardhur këtu, kartuçat, lëndimet, përgatitja jo e mirë si rrjedhojë e nisjes së vonshme të përgatitjeve, bën që të gjendemi në këtë situatë ku jemi tash”, theksoi trajneri pejan.
“Po mundohemi të këndellemi, por nuk e kemi shkopin magjik, nuk rregullohen gjërat brenda ditës. Do të ishte joreale të jem optimist i tepërt, pasi që nuk kemi fond të mjaftueshëm të lojtarëve dhe s’kemi zëvendësues adekuatë. Jemi duke punuar shumë, nuk ka vend për panik. Në janar duhet të intervenojmë dhe të mundohemi të konsolidohemi. Ngase tash, edhe po ta kisha një staf prej 10 vetash, nuk mund ta riparonim këtë situatë”, vazhdoi ish futbollisti kosovar.
Ai shton se ka qenë i vetëdijshëm për sfidën që e pret edhe para se ta pranonte propozimin e Vëllaznimit, pasi që ka dashur ta tregojë guximin. Vëllaznimi ka 13 pikë, prej tyre 3 fitore, 4 barazime e 7 humbje, duke u renditur në pozitën e 10-të, vetëm një pikë më shumë se tri ekipet e fundit: Drenica, Liria dhe Llamkos Kosova. Xhiron e ardhshme, Kuqezinjtë do të luajnë ndaj Lirisë.
Drenica, specialiste e barazimeve
Ndërkohë, Drenica duket se është dashuruar në barazime. Skuadra kuqezi të mërkurën ndau pikët me Llamkos Kosovën në Vushtrri, duke e regjistruar barazimin e nëntë rresht. Ekipi i Tahir Lushtakut nuk e di se çka është fitorja që nga xhiroja e parë, duke ‘agjëruar’ në 13 javët tjera pa e gjetur assesi trepikëshin. Mungesa e fitoreve u ka kushtuar drenicasve, të cilët e ndajnë pozitën e fundit me Lirinë dhe Llamkos Kosovën.