Ligji për Gjykatën Administrative, PS-PD larg marrëveshjes
Demokratët dhe socialistët janë larg konsensusit për projektligjin “Për Gjykatën Administrative”, duke dështuar në negociatat paraprake. Ministria e Drejtësisë kishte paraqitur disa propozime të saja në lidhje me 20 amendimet e PS-së, por një material i tillë nuk u diskutua për shkak të përplasjeve mes socialistëve dhe demokratëve. “Është parashtruar jo vetëm vërejtja përkatëse, por dhe komenti përkatës për secilin prej vërejtjeve”, tha ministri i Alibeaj. Socialistët ngritën pretendimet e tyre në lidhje me faktin se nuk mund të shqyrtohen nenet e draftit, për të cilat kanë rënë dakord dhe pastaj të lihen për negociata ato të tjerat. Por kryekomisioneri Rusmali, i cili bëri këtë propozim për konsensus, reagoi në lidhje me qëndrimin e opozitës, duke e cilësuar si tentativë për zvarritje të qëllimshme miratimit të këtij drafti të rëndësishëm. “Në qoftë se ne themi o prano letrën time, ose përndryshe kapitullo, pastaj këtu jemi deklaratë luftë. Kjo nuk bëhet me këmishë force”, u deklaroi Rusmali. Ndërsa Xhafaj ka theksuar se “Kjo këmishë force që doni të vishni dhe ju personalisht dhe ministri përballë nesh, nuk i bën gjë tjetër veçse, nëse ka një vullnet për konsensus e shmang këtë konsensus”. “Këmishë force do të thotë që të kërkosh një takim me këta ekspertë dhe t’i detyrosh t’i lidhësh këmbë e duar e t’i thuash o prano materialin tim, ose ndryshe kjo nuk kalohet. Kjo është këmishë force”, iu kundërpërgjigj Rusmali. Kryekomisioneri ka kërkuar që të realizojë disa negociata në lidhje me përplasjet që kanë mbetur, duke theksuar se afati i këtyre do të jetë deri ditën e hënë. Ai ftoi dhe ekspertët e opozitës të marrin pjesë në të. Por Xhafaj theksoi se nuk mund të përfshihet më Ministria e Drejtësisë, pasi projektligji është në Kuvend. Ndërsa ende nuk dihet nëse PS-ja do të tentojë në ditët në vijim për të diskutuar me ekspertët e ministrisë dhe ata të huaj për këtë projektligj.