E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kroacia, ende një vend ballkanik

Nga “The Economist”
Ajo ishte një masakër e rëndë e shoqërisë kroate”, - tha një analist për vrasjen e gazetarit kroat. Më 27 tetor, rreth 1000 vetë morën pjesë në funeralin e Ivo Pukaniç, botuesi i “Nacional”, një prej gazetave ... 

...më me ndikim në Kroaci. Ai dhe kolegu i tij u vranë me një autobombë në qendër të Zagrebit, katër ditë më parë.
Stipe Mesiç, Presidenti i Kroacisë tha se ndodhej aty për të nderuar mikun e tij së bashku me disa ministra të qeverisë. Ndërsa shpresa e Kroacisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian në vitin 2011 tashmë është vënë në diskutim, ai premtoi menjëherë një fushatë aktive kundër krimit të organizuar, terroristëve dhe mafies. “Ne ose ata”, - tha ai. Por, kriminelë të dënuar dhe familja e bosit famëkeq të krimit, Hrvoje Petrac, ishin gjithashtu në funeralin e gazetarit. Petrac ndodhet në burg sepse rrëmbeu djalin e gjeneralit Vladimir Zagorec. Gjenerali u ekstradua nga Austria më 2 tetor, nën akuzat për vjedhje diamantesh të përdorur si kolateral në një marrëveshje për armët gjatë luftërave të viteve ’90 në Ballkan.
Katër ditë më pas, vajza 26-vjeçare e avokatit të tij, Ivana Hodak, u vra. Këto vrasje e kanë vendosur Kroacinë përballë zbulimit të një bote të nëndheshme të krimit dhe dhunës. Pukaniç, një gazetar i talentuar, e kishte përqendruar vëmendjen e tij në zonën më delikate të Ballkanit, ku kriminelët, politikanët, oficerët e shërbimeve sekrete dhe gazetarët e avokatët takohen për bizneset e tyre.
Shumë biznesmenë dhe politikanë të korruptuar janë përmendur nga gazeta e famshme “Nacional”, por shumë të tjerë jo. Gazeta ishte mjaft e afërt me Presidentin Mesiç, ndërsa revista tjetër më e madhe javore, “Globus”, përpiqet ta shpërfillë atë. Vëmendja e Pukaniç nuk ishte e kufizuar vetëm në Kroaci. Në vitin 2001, gazeta e tij publikoi një sërë dyshimesh që i lidhnin politikanët e rëndësishëm të vendeve të tjera në Ballkan me trafikimin dhe krimin e organizuar. Këto u publikuan në një gazetë të opozitës në Mal të Zi. Në vitin 2004, kryeredaktori i gazetës u vra gjithashtu. Një pjesë e madhe e publikut kroat do ta mirëpriste deklaratën e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme si dhe arrestimin e mijëra të dyshuarve, siç ndodhi në Serbi pas vrasjes së Gjingjiçit në vitin 2003. Në vend të kësaj, Ivo Sanader, Kryeministri kroat, ka ndërmarrë masa të matura: ai ka zëvendësuar ministrat e Drejtësisë dhe të Rendit si dhe shefin e policisë. Autoritetet kanë ngritur gjykata të veçanta për t’u marrë në mënyrë specifike me krimin e organizuar dhe programet e mbrojtjes së dëshmitarëve. Dhjetëra personave janë arrestuar, mes tyre katër të dyshuar për vrasjen e Pukaniç, sipas televizionit shtetëror. Sa i përket dhunës e korrupsionit, Kroacia krahasohet me vendet e tjera të rajonit si Bullgaria dhe Serbia. Por, vrasjet e fundit zbulojnë një tronditje të rëndë në vendin e njohur për bregdetin e mrekullueshëm të tij. “Ne pretendojmë se jemi më mirë se shumë vende të rajonit”, - thotë Ines Sabalic, një gazetare kroate në Bruksel. “Tani, e gjithë kjo na bën të kuptojmë se ne thjesht ishim më të pasur e kishim më shumë diell”.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›