E Shtunë, 31 Tetor 2026

OPINION/Retorikë pa stilistikë

Nga Ilir DHIMA
Me gjithëse këto dy kategori shtjellohen posaçërisht nga shkenca e komunikimit, titulli i këtyre radhëve mund të shërbejë edhe për të ilustruar mënyrën si ministri Enkelejd Alibeaj bëri pak ditë më parë publikimin ... 

...e paketës prej shtatë projektligjesh në fushën e reformës në drejtësi. Ai shfrytëzoi takimin e organizuar në Tiranë për promovimin e një projekti binjakëzimi rreth proceseve gjyqësore mbi çështjet tregtare, për të mbajtur një tiradë të gjatë, thelbi i së cilës ishte konfirmimi për pandryshueshmërinë e këtyre projektligjeve, pasi – sipas tij - për to ka pasur një konsultim të gjerë.
Po të marrim parasysh që në atë takim merrte pjesë edhe ambasadori i KE-së, i cili këtë vit, sikurse edhe në punimet e aktivitetit propagandistik në fjalë, ka tërhequr vëmendjen vazhdimisht për respektimin e pavarësisë së institucioneve, sidomos të atyre që inkuadrohen në pushtetin gjyqësor, mund të mendohet që pikërisht këtij të fundit synonte ministri shqiptar t’i mbushte mendjen, për gjoja hapat e mëdha që po hidhte në këtë drejtim Qeveria jonë, duke shkuar drejt arritjes së një prej objektivave të vëna për të fituar statusin e kandidatit zyrtar për në Bashkimin Europian.
Se sa ia arriti Alibeaj qëllimit të vet, këtë e di saktësisht vetëm Helmut Lohan, i cili me gjuhën e misionarit diplomatik, u mjaftua që t’u kujtonte në ligjëratë të drejtë pjesëmarrësve të takimit, një nga formulat e njohura të shtetit të së drejtës, sipas së cilës: “Sistemi i drejtësisë funksionon mbi bazën e dy parimeve kryesore: përgjegjshmërinë para ligjit dhe pavarësinë e institucioneve ndaj ndikimeve politike”. Njëherazi, ai theksoi shqetësimin që do të shkaktohej, nëse ky ekuilibër do të prishej. Domosdo, daullja bie për ata që dëgjojnë! Sa për të tjerët, që e ndoqën ministrin problematik brenda në sallë, dhe për ata që i mbanin sytë e veshët nga ekranet televizive, nënkuptohej qartë diskordanca mes këtyre dy figurave qendrore me ndikim në këtë fushë. E thënë me fjalë të tjera, mungesa e sintonisë në ligjëratat e tyre, pavarësisht se sa e shkurtër, lakonike qe njëra, dhe se sa e zgjatur, e zvargur ishte tjetra.
Pra, për auditorin brenda dhe jashtë asaj salle, fjalimi i ministrit tonë të Drejtësisë përbën një retorikë bajate sipas mënyrës së shefit të vet, i cili nuk lë rast pa t’u shfaqur ‘në derë’ ngarkuar me thesin e delireve, demagogjisë dhe gënjeshtrave gati – gati proverbiale për një Kryeministër të kohëve moderne. “Ligjin për gjyqësorin e kam konsultuar me tërë trupën gjyqësore, KLD–në dhe mjedisin akademik. Tërë trupa e prokurorëve është konsultuar për projektligjin për Prokurorinë, ligjet janë bërë me asistencën e ndërkombëtarëve” – shkëpusim nga retorika e Alibeajt. Por, për të mos rënë në retorikë edhe ne në këto radhë, mbase është më mirë të shënojmë ca episode konkrete. Kështu, fjala vjen, për Projektligjin mbi organizimin e pushtetit gjyqësor, qysh prej dy vjetësh ishin kërkuar mendime nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, vërejtjet dhe sugjerimet e të cilit, të shprehura e zeza mbi të bardhë në materialin e këtij organi, nuk janë marrë pothuajse fare parasysh. Po fundja, s’kishte si të ndodhte ndryshe, mund të shprehet ndokush, përderisa Qeveria e Sali Berishës, nëpërmjet iniciativës së saj ligjvënëse synon në mënyrë konsekuente të zbehë, në raport me të, pavarësinë reale dhe efektive të pushtetit gjyqësor. Dhe kjo vihet re madje qysh në titull të këtij Projektligji, kur ‘edhe bufi e di’ se pushtetet (si edhe ai gjyqësor) nuk organizohen, por ushtrohen.
Këtij synimi i shërben, me sa duket, edhe masa e cunguar e institucioneve që parashikohen në këtë Projektligj. Posaçërisht, mospërfshirja në të e veprimtarisë së administratës gjyqësore, me pretendimin se për të do të hartohej një tjetër akt ligjor i veçantë. Mirëpo, meqë u tha se për herë të parë do të rregullohej legjislativisht veprimtaria e kësaj administrate, mendja ta donte që Projektligji për këtë organ të punohej me seriozitetin maksimal dhe jo t’i lihej 1 ditë, më saktë vetëm një ditë- natë kohë një eksperteje të vetme, sa do e aftë, të Ministrisë së Drejtësisë, për të hedhur në letër dispozitat e Projektit. Më pas u shtuan tre nene, u bënë ca arnime me porosi të s’di se kujt, dhe doli ky tekst që doli. Kjo praktikë e mbrapshtë dhe në mënyrë këmbëngulëse u ndoq edhe për Projektligjin, gjithkaq të kontestuar, rreth ndryshimeve në Ligjin mbi organizimin dhe funksionimin e organit të akuzës, duke e katandisur për ‘letër higjienike’ Projektin që paraqiti Prokuroria e Përgjithshme. Ndërkohë, duke injoruar totalisht edhe rekomandimet e ekspertëve të EURALIUS, Programit të Asistencës Europiane për Sistemin Shqiptar të Drejtësisë.
Prandaj, ende vazhdojnë të jehojnë protestat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sikurse, edhe ato të avokatëve ndaj Projektligjit për ndryshimet në Ligjin aktual të institucionit të tyre, duke nisur më së pari nga neni 1 i tij, që parashikon vetërregullimin e veprimtarisë së Avokatisë. Sikurse, edhe ato të noterëve ndaj liberalizimit që kërkohet me dispozitat e reja t’i bëhet profesionit të tyre, me pasojë cenimin e vet sistemit të noteriatit kontinental, protesta që u shoqëruan madje edhe me kundërshtimin e hapur të Shoqatës së Noterëve Europianë... Edhe pa u përshkuar deri në fund ‘katakombet’ e plot detajeve të tjera, nuk mund të mos krijohet bindja se, kështu, s’ka se si të ecet më tej, se konsulenca me grupet e interesit dhe asistenca me ndërkombëtarët nuk bien erë gjëkundi. Prandaj, diçka më mirë do të ishte po qe se Ministri Alibeaj gjatë tërë asaj retorike të gjatë të kishte futur pakëz stilistikë.
Pra, të paktën të kishte marrë mundimin që të shpjegonte, qoftë edhe me arsyetime personale të pavarura (nëse vërtet ka të tilla ky çun Kavaje), nevojën e ngutshme për të bërë këto ndryshime ligjore në sistemin e drejtësisë, se përse ato mund të përbëjnë realisht një reformë. Dhe jo të shtonte në fund, se reformat kërkokërkan sakrifica (?!). Nuk është fort e qartë, nëse në ato çaste u nxorën shamitë nga xhepat. Por dihet nga të gjithë që sakrificat pranohen, atëherë kur veprimet e sforcuara qeverisëse besohet që, pas një periudhe kalimtare, mund t’i japin impulse të reja zhvilluese jetës së shoqërisë. Ndërsa, aspak pseudoreformat, që synojnë t’i zhbëjnë ato që janë arritur për krijimin e një shteti modern, që synojnë për t’u kthyer pas, në përqendrimin e pushteteve te një dorë e vetme. Në fund të fundit, siç ka treguar më së miri përvoja e gjatë e të gjitha vendeve europiane dhe më gjerë, po të shprehemi me thënien e famshme të lordit anglez Action: “Pushtet absolut do të thotë korruptim absolut”.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›