E Diel, 1 Nëntor 2026

Më shumë respekt për ata që dinë të falin, kryeministër

Nga Rezarta Delisula
 

Javët e fundit kafetë e mëngjesit jam duke i pirë me fqinjët e mi mbi të ’60-tat. Xhaxhi Timi (kështu i thërras për respekt), është djali i Seit Matjes një prej ish-drejtuesve të Ballit Kombëtar të cilin e varën te dera e burgut në vitet e para të Çlirimit, ndërsa atë bashkë me motrat i degdisën për dekada me radhë në gjithë kampet e tmerrshme të internimit... Me xhaxhi Beqirin i cili nga i ati i tij i ka mbetur vetëm një xhaketë me një njollë të madhe gjaku. Ai vdiq pas disa muaj torturash në hetuesi. Në kafenenë e lagjes tonë, na kalon çdo ditë para syve një prej njerëzve që akuzohen se kanë kryer krime në komunizëm, ish-kryeprokurori i Përgjithshëm Aranit Çela. Teksa pinim kafenë bashkë, i pyeta se çfarë ndjenin këta njerëz kur shihnin çdo ditë njeriun që dënoi mijëra shqiptarë. Mendoja se ishin të mbushur me mllef, nga një jetë që iu detyrua ta bënin në format më të tmerrshme, nga kjo jetë ku jua vranë shpresat, ëndrrat, jua vranë ditën e natën... Xhaxhi Timi u shpreh se nuk ndjen asgjë, ajo kohë është mbyllur bashkë me miliona ëndrrat e tij të cilat u shkatërruan kampeve të internimit. ”Mua më vranë babën, e ç’më duhet tani se pse ndodhi apo kush e bëri”, më tha xhaxhi Beqiri. Mbeta e shokuar. Ata janë dy nga njerëzit që kanë vuajtur 50 vite me radhë presionin, imoralitetin politik, punën e rëndë, diskriminimin....kanë humbur babanë, dhe ata përsëri falin. E duke komentuar me kolegun tim atë çka përjetova, bëmë një bilanc. Në këto 18 vite demokraci, askush nga të përndjekurit politik nuk është hakmarrë mbi ata mijëra prokurorë, hetues, operativë zone të cilët i kanë keqtrajtuar, torturuar, vrarë pak e nga pak. Këto janë njerëzit të cilët duhen respektuar për shumë arsye, por edhe për më të madhen që mbajnë përbrenda, këta nuk hakmerren. E teksa shohim dy djem të rinj të vrasin një tjetër për vendin e parkimit, të vrasin shokun e lagjes sepse e rrahu në domino, njerëz që mbarsen me urrejtje dhe ruajnë rastin për të hequr qafe njërin që e shau nga motra gjatë një përplasjeje ordinere mes meshkujsh (sepse një llafe goje iu duket sikur ja bënë me të vërtetë), kur burri vret gruan vetëm se paramendon që ajo ia dredh, kur ata që kërkojnë të vrasin për shoqëri apo për nder që as vetë se dinë në emër të kujt vrasin, kur babai vret vajzën se shkoi në diskotekë pa i marrë leje (sepse edhe kur t’i kërkonte leje nuk bëhej fjalë se do ia jepte), kur fise të tëra vriten për gjakmarrje e vazhdojnë ta quajnë burrëri, atëherë duhet t’i themi të kthejnë kokën e të shohin mijëra familje shqiptare të persekutuara që hakmarrjen e mbytën me qytetari.
***
Më shumë respekt për ata që dinë të falin, duhet të keni edhe ju Zoti Kryeministër. Ato paratë e qëndrimit në burg i mori dhe Aranit Çela, sepse një avokat i zoti e nxori si të padrejtë vendimin për burgosjen e tij, ndërsa këta mijëra të përndjekur po i vërdallisni si ju ka dashur e ju do qejfi. Edhe viti 2008 iku pa u dhënë dëmshpërblimin të përndjekurve politikë, ashtu sikurse iku 2005, 2006, 2007... Keni gjetur mënyrën për ti mbajtur në krik, u keni dhënë të plotësojnë disa formularë, të cilat pjesa më e madhe e tyre i ka plotësuar prej kohësh. Shumë nga ata që vuajtën në burgjet e komunizmit për motive politike, mbyllën sytë pa pasur mundësi të shihnin një herë të vetme drejtësi për veten e tyre. Të tjerë janë në një moshë, që mbivendosi edhe vuajtjet e jetës e mizerjen, të jenë më pranë vdekjes. Janë ata që luftuan 45-vjet dhe nuk reshtën së mospranuari regjimin edhe pse në burgje, ata që morën përsipër riskun, në emër të luftës për liri janë ato që ju hapën rrugën e demokracisë. Jepini një zgjidhje Zoti Kryeministër, këtyre mijëra familjeve shqiptare që kanë bashkëjetuar me të paimagjinueshmen për 45 vjet radhazi, mundësinë që se kanë pasur kurrë. Të shohin pesë ditë të mira në jetën e tyre, e të paktën të heqin nga shpirti brengën e rëndë që mbajnë prej vitesh, atë të haraçit që paguan fëmijët e tyre, familjet e tyre. Ka ardhur momenti të mendoni se më shumë se kushdo tjetër, janë të përndjekurit politikë, ata që meritojnë vëmendjen e shtetit, që meritojnë atë që u takon.
(a.r/Gazeta Shqiptare/Balkanweb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›