E Diel, 1 Nëntor 2026

Kroacia premton lehtësime në marrjen e vizave

Prishtinë, 20 gusht - Ambasadori i Republikës së Kroacisë në Kosovë, Zlatko Kramariq, duke iu përgjigjur shqetësimeve të qytetarëve dhe diasporës kosovare për pengesat burokratike në marrjen e vizave transite, ka theksuar se së shpejti do të nënshkruhet marrëveshje e veçantë, e cila do të rregullojë këtë lëmi.

Gjatë takimit në Odën Ekonomike të Kosovës, kryetari Safet Gërxhaliu tha se me ambasadorin Kramariq është biseduar lidhur me disa çështje konkrete me të cilat po ballafaqohen të dy vendet kohëve të fundit, transmeton KosovaLive.

E para, sipas Gërxhaliut, është kërkesa që Kroacia ta vazhdojë rrugën e filluar për lobim në përkrahje të proceseve politike të Kosovës dhe e dyta, gjetja e një forme që fuqia e re punëtore e Kosovës ta gjejë veten të paktën në punësimin sezonal, pasi që Kroacia ka nevojë të madhe për fuqi të re punëtore.

Gërxhaliu theksoi se është biseduar edhe për barrierat e shumta me të cilat po ballafaqohet diaspora kosovare kudo në Evropë, pasi që përkundër vizave Shengen Kroacia kërkon vizë transite.

Ambasadori Kramariq vlerësoi si pozitive marrëdhëniet në mes të dy vendeve dhe tha se  është interes edhe i Kroacisë dhe i tregut kroat që të jetë sa më shumë i pranishëm në tregun e Kosovës.

Ai premtoi se pas pushimit vjetor edhe Ambasada e Kroacisë do t'i kushtohet problematikës së vizave dhe do të bëhen përpjekje për të ndihmuar lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në Kroaci.

“Së shpejti do t’u mundësojmë edhe qytetarëve të Kosovës të kenë lëvizje më të lehtë për në Kroaci. Na presin në të ardhmen nënshkrime të marrëveshjeve ndërmjet Kroacisë e Kosovës dhe së shpejti do të nënshkruhet edhe një marrëveshje ndërmjet dy ministrave të Ekonomisë dhe Financave për të mundësuar lëvizjen e lirë të punëtorëve sezonalë e të tjerë”, tha Kramariq.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›