Kroatët e kosovarët pa nostalgji për ish-Jugosllavinë

Shumë ish jugosllavë besojnë se jeta ishte më e mirë dhe më e lehtë për të pasur punë në kohët e vjetra edhe pse kroatët dhe kosovarët nuk janë aq nostalgjikë sa serbët dhe boshnjakët. Një pyetësor për qëndrimet ndaj shtetit të vjetër jugosllav, nga Fondi Europian për Ballkanin, tregon se shumë njerëz veçanërisht serbët e shikojnë ish federatën socialiste me një ndjenjë të veçantë nostalgjie.
Pyetësori përfshiu dy gjenerata, njëri grup i lindur më 1971, dhe tjetri i lindur më 1991, në kohën kur Jugosllavia u nda. Përveç grupit të të rinjve në Kroaci dhe Kosovë, shumica e të rinjve të tjerë besojnë se jeta e prindërve të tyre ishte më e mirë se sa jeta e tyre sot.
Ata besojnë gjithashtu se mundësitë për punësim ishin më të mira për prindërit e tyre, sesa janë sot. Pavarësisht nostalgjisë për ish Jugosllavinë, të dyja gjeneratat e shohin shpërbërjen e Jugosllavisë si të paevitueshme, me përjashtim të serbëve dhe boshnjakëve.
Të pyetur nëse do të ktheheshin në sistemin politik të ish Jugosllavisë, apo do të bashkoheshin me Bashkimin Europian, shumica e serbëve preferon opsionin e ish Jugosllavisë. Sidoqoftë grupi i të rinjve, në të gjitha shtetet, besojnë se do të kenë edukim më të mirë në BE sesa patën prindërit e tyre nën komunizëm. Shumica e të rinjve thonë se anëtarësimi në BE nuk do të ndikojë identitetin e tyre kombëtar, ndërsa kosovarët dhe maqedonasit besojnë se identiteti i tyre do të forcohet në BE.
Por niveli i mirëbesimit midis kombeve, veçanërisht midis atyre që ishin pjesë e luftërave të viteve 1990, mbetet i ulët. Të rinjtë nga Kosova, Bosnja dhe Kroacia kanë pak besim tek serbët, ndërsa serbët dhe malazezët kanë më pak besim te shqiptarët.
Sondazhi u zhvillua në shtator dhe tetor të 2011 dhe morën pjesë më shumë se 4,000 persona nga Serbia, Kroacia, Bosnja, Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi.