E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koka e Zeusit, më 15 maj në Muzeun e Butrintit

13/05/2009  “Koka e Zeusit“ më në fund do të kthehet në Shqipëri. Pas shumë tratativash e zhurmës mediatike Koka e Zeusit të Ascleptusit, e vjedhur nga Shqipëria në vitin 1991 do të mund të vendoset sërish në Muzeun e Butrintit. Ky kthim do të bëhet përmes një ceremonie zyrtare më 15 maj, ku të pranishëm përveç autoriteve shtetërore shqiptare dhe përfaqësuesve nga Ministria e Kulturës, do të jenë edhe dy futbollistët shqiptarë, Igli Tare dhe Lorik Cana, të cilët disa kohë më parë kanë paguar në Romë edhe çekun prej 20 mijë Eurosh për kthimin e kësaj statuje.

Drejtori i trashëgimisë kulturore në Ministrinë e Kulturës, Olsi Lafe pohon se procedurat gjyqësore për kthimin e kokës së Zeusit në Shqipëri janë ndërprerë menjëherë pas pagimit të shumës prej 20 mijë Eurosh të futbollistëve shqiptarë, gjë që ka bërë të shpejtohen procedurat për kthimin e statujës helenistike në vendin e origjinës.

Duke shpjeguar historinë e vjedhjes së Kokës së Ascleptusit, zotit të mjekësisë në antikitet, Lafe rrëfen se e vjedhur nga muzeu i Butrintit në vitin 1991, statuja i është shituar më pas, në 1996-ën, në një ankand të rregullt në një shtëpi ankandesh në Londër një qytetari italian.

Ky informacion është bërë i dituar vetëm pasi në Itali në fillim të viteve 2000 karabinierët e trashëgimisë kulturore arritën të konfiskojnë këtë objekt, i cili ishte publikuar në faqen e një reviste dhe pasi ajo ishte shfaqur në një emission televiziv “live”. Kështu karabinierët arritën të identifikonin revistën, të gjenin autorin e artikullit, kush kishte kryer fotografinë dhe më pas poseduesin e objektit që kishte dalë në revistë. Në këtë mënyrë ata arritën te shtetasi italian, një koleksionit i njohur sidomos për rrethet e koleksionistëve në Itali, që kishte blerë objektin në vitin 1996 përmes një ankandi të rregullt në Londër në një shumë rreth 20 mijë Euro (shuma respektive në paund në kursin e atëhershëm). Por edhe pse karabinierët filluan procedurat gjyqësore ndaj shtetasit italian në gjykatën penale dhe gjyqësore të Romës, gjykata penale e pushoi çështjen ndaj shtetasit, pasi objekti nuk rezultonte i vjedhur nga ana e tij. Vetëm gjykata civile pezulloi transferimin e mëtejshëm të objektit apo ndryshimin e pronësisë së tij, duke bllokuar objektin në amabjentet e shtëpisë së shtetasit italian, me detyrimin që shtetit shqiptar t’i njihet e drejta natyrore e pronësisë, ndërsa si blerës në mirëbesim sipas termave juridikë statuja i përkiste shtetasit italian.

Çështja arriti në fazën kur shtetasi italian u shpreh publikisht pranë ambasadës sonë në Romë se ishte i gatshëm t’ia kthente objektin Republikës së Shqipërisë, por kundrejt pagesës ndaj tij në shumën e paguar prej 20 mijë Eurosh sipas faturës së rregullt. Pikërisht në këtë moment pranë ambasadës shqiptare në Romë pagesa është bërë nga futbollistët Tare dhe Cana. “Kjo pagesë është bërë për kthimin e një objekti të trashëgimisë në të mirën e Shqipërisë dhe në tokën e tyre. Ata dolën vullnetarë për të paguar, për të bërë një donacion dhe për t’ia dhënë këtë në formën e një çeku shtetasit italian, në mënyrë që kalimi të bëhej më lehtë por dhe më shpejt pranë Shqipërisë“, komenton Lafe, duke mos dashur të flasë më shumë për këtë pikë, se pse pagesa nuk u bë më parë nga ana e Ministrisë së Kulturës.

Në anën tjetër, shefi i kabinetit të MTKRS-së, Flamur Shehu, shpjegon se pagesa prej 20 mijë Eurosh e bërë nga dy shtetasit Tare dhe Cana do të bëhet nga vetë shteti, edhe pse ende kundrejt dy futbollistëve nuk është dhënë asnjë shumë në këtë drejtim. E rëndësishme është se praktikisht, koka e Zeusit “është në pronësi 100 përqind, në administrim dhe tashmë në mbrojtje të shtetit shqiptar dhe do të kthehet në muzeun e Butrintit“. “Zyra e Avokatit të Shtetit i ka propozuar Ministrisë sonë se është gati të plotësojë procedurat për të zbardhur e gjetur formën si është tregtuar në vitin 1996 statuja si dhe të gjejë origjinën e vjedhjes së këtij objekti të trashëgimisë sonë. Ky është një proces i ndarë nga kthimi i objektit në Shqipëri dhe do të vazhdojë një procedurë tjetër tërësisht juridike, e cila do të jetë në kompetencën e ministrisë juridike të Shqipërisë si dhe të avokatit të shtetit“, përfundon Lafe.

Përshkrim i shkurtër…

Skulptura helenike që mban numrin e inventarit 60, ka flokë kaçurrelë të gjatë, të cilat i mbulojnë komplet veshët. Sytë kanë formën e një bajameje dhe vetullat janë të gdhendura shumë qartë. Vetullat janë të drejta dhe pak të varura poshtë, ndërsa buzët janë të mbyllura plotësisht. Mustaqet janë sipër tyre dhe mbushin distancën nga hunda te buzët, pastaj varen poshtë duke u dredhur. Fytyra është e mbushur nga një mjekër e dendur dhe kaçurrele. E vjedhur më 1991 në Butrint, ndodhet në Itali. Është i dëmtuar në ballë, në hundë, mustaqet dhe në pjesën e majtë të mjekrës.

Bibliografia: Dh.Budina "Butrinti pararomak", Butroti, 1988, f.93, Tab.XII/4.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›