E Diel, 1 Nëntor 2026

The Blue Dolls Show Tre kukulla vijnë me këngë italiane

Nesër në skenën e Akademisë së Arteve vjen koncerti i radhës me artistë të njohur italianë
Nesër në Akademinë e Arteve, një tjetër grup muzikor i njohur italian do të sjelli një spektakël në skenën e arteve. Grupi italian The Blue Dolls Show do të vijë për publikun shqiptar si një trio vokale. Grupi ka në përbërje të tij artistet: Erika Celesti, Federica Pallante e Viviana Dragani. Edhe ky koncert mendohet të jetë një spektakël mjaft interesant, që vjen në kuadër të edicionit të nëntë të ndërkombëtar të muzikës klasike që po zhvillohet në vendin tonë. Në Tiranë  The Blue Dolls Show, do të prezantojnë këngë italiane dhe muzikën e lehtë të viteve 1930-1970. Ky spektakël nis nga repertori i interpretuesve dhe kompozitorëve më të famshëm si Alberto Rabagliati, Pippo Barzizza, Gorni Kramer dhe trioja Lescano, dhe gjithashtu propozon këngë shumë të famshme mes të cilave Pippo non lo sa, Maramao perché sei morto?, Baciami piccina. Të gjitha këngët do të interpretohen sipas një stili unik, të freskët dhe argëtues të tre kukullave më prezencë tërheqëse skenike. Trioja do të shoqërohet në kitarë nga Marco Parodi, autor i shumë realizimeve; në piano nga Paolo Volante, themelues dhe drejtor artistik i grupit; dhe Luca Rigazio në bateri. Pranvera ka sjellë në Tiranë një sërë aktivitetesh kulturore, të cilat janë zhvilluar në skena të ndryshme të teatrove shqiptare. Në kuadër të këtyre veprimtarive të pranishme kanë qenë dhe aktivitetet që i përkasin kulturës italiane në vendin tonë. Për publikun janë shfaqur filma, shfaqje teatrale, janë hapur ekspozita me punime të ndryshme të artistëve italianë etj. Në vijim të këtyre aktiviteteve në kryeqytet janë dhe koncerte, të cilat kanë sjellë në skenën shqiptare artistë të njohur italianë. Në Shqipëri para disa ditësh mbërriti grupi i njohur italian Mezzotono, i cili në programin e tij dha tre koncerte me këngë tradicionale nga vendi fqinj Italia. Ky grup njihet për ekzekutimin e pjesëve origjinale, pjesë e traditës muzikore italiane dhe pulieze. Spektakli i tyre ishte i veçantë, sepse nuk u shoqërua nga asnjë instrument muzikor, pasi pjesëtarët e grupit janë në gjendje të imitojnë vetë tinguj të ndryshëm. Ky grup, i cili është i njohur për spektaklet e tij në vende të ndryshme të botës ishte i pranishëm dhe për publikun shqiptar në disa qytete të vendit. Kështu, pjesëtarët e grupit, Daniela Desideri, Francesca Leone, Fabio Lepore, Marco Giuliani dhe Andrea Maurelli, kanë realizuar një koncert në Fier në Korçë dhe për ta përfunduar turneun e tyre me shfaqjen në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, në 10 maj. Këto koncerte zhvillohen me mbështetjen e  Institutit Italian të Kulturës, i cili ka si qëllim të promovojë dhe të përhapë gjuhën dhe kulturën italiane në Shqipëri nëpërmjet organizimit të aktiviteteve kulturore.

Si u krijua grupi me tre kukulla

Trioja vokale The Blue Dolls Show, lindi në teatrin Carignano të Torinos, në muzikalin Mille Lire al mese, ( Një mijë lira në muaj), falë një intuite të Paolo Volantes, menaxheri aktual i tyre, dhe më pas u lançua si një grup autonom në Louisiana Jazz Club, të Gjenovës në fundin e viteve 2005. Pas suksesit që patën me disa koncerte (Blue Note, në Milano, Montreux Jazz Festival, Jazzonlive, në Breshia, Cantina Bentivoglio, në Bolonjë, Brass Group, në Palermo, Cotton Club, në Romë,) si dhe me pjesëmarrjen në transmetime të famshme televizive (Maurizio Costanzo Shoë, Markette e Piero Chiambretti- t , Sabato, Domenica e), The Blue Dolls janë tashmë në ture të vazhdueshme në pjesën më të madhe të teatrove italiane dhe interpretojnë në festivalet më të rëndësishme italiane dhe jashtë saj. Në janar të 2008 kanë marrë nominimin si këngëtarët më të mirë (Best Singers), në Festivalin Italian të Xhazit .   

Last Updated on Wednesday, 13 May 2009 14:14

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›