E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kromi mbulon 40-vjeçaren

• Asgjë nuk i ndal ngjarjet tragjike në minierën e kromit Bulqizë.BULQIZE/ ENVER DOÇIAs vizita e Presidentit Topi, as dorëheqjet e disa zyrtarëve të vegjël, as hetimet e bujshme të prokurorisë së rrethit, as deklarimet e zyrtarëve të policisë rajonale nuk kanë ndikuar në parandalimin e ngjarjeve në qytetin e minatorëve. Dje banorët e qytetit të ftohtë dhe të varfër të Bulqizës mësuan lajmin e rëndë, se një nënë ishte pushtuar nga minerali i kromit dhe gurët, teksa rrekej për të siguruar mbijetesën, bukën e fëmijëve, siç ishte shprehur ajo vetëm dy-tre ditë më parë. Asie Llani, 40 vjeçe, nënë e katër fëmijëve është ngjitur në stokun e kromit, pak metra mbi lagjen “Gjeologu”, mbi qytetin e Bulqizës, për të mbledhur krom dhe për ta shitur atë në tregun e zi.Burime nga vendngjarja sqarojnë se Llani dhe shoqet e saj po mblidhnin krom në stokun e madh të minierës, pa marrë parasysh pasojat që rrëshqitja e gurëve dhe mineralit paraqiste për jetën e saj. “Nisëm të gërmojmë si çdo ditë tjetër, - thanë shoqe të Asie Llanit. - Me kazma, lopata e mjete të tjera gërmonim për të gjetur gurë minerali. E nisëm punën që nga ora nëntë dhe në mesditë ndaluam për të ngrënë bukë. Pasi pushuam pak u rikthyem në “frontin e punës”. Rreth orës dy e gjysmë, Asia është shkëputur nga shoqet dhe po gërmonte në një gropë që kishte hapur deri në atë orë. “Jemi befasuar kur kemi dëgjuar britmat e saj, - thanë koleget e punës. - Masivi shkëmbor rrëshqiti pa zhurmë dhe zuri poshtë 40-vjeçaren, që rropatej çdo ditë për kafshatën e bukës. Vajtëm në kohë rekord pranë saj dhe nisëm të largojmë gurët që e kishin zënë poshtë. Brenda pak minutave e çliruam nga gurët dhe ajo mezi merrte frymë. Na erdhën në ndihmë dhe banorë që kishin shtëpitë afër”, sqarojnë dëshmitarët okularë të ngjarjes. Ato thonë se e dërguan me urgjencë në spital, por mjekët u shprehën se Llani kishte dëmtime serioze dhe jeta e saj është në fije të perit. Policia e Bulqizës vetëm pak ditë më parë është kritikuar fort nga drejtori rajonal i policisë së Qarkut Dibër. Ai ka urdhëruar vartësit e tij të pengojnë këdo që tenton të grumbullojë krom në rrugë të paligjshme. “Së pari, - është shprehur drejtori, - nga grumbullimi i kromit në stoqe kemi pasur ngjarje aksidentale dhe, së dyti, kemi të bëjmë me pasurinë kombëtare dhe ajo nuk duhet prekur nga askush”. Stoqet e kromit në rrethin e Bulqizës vazhdojnë të jenë një burim serioz rreziku për jetën e banorëve të këtij rrethi. Skema e grumbullimit dhe shitjes së kromit në rrugë private është zbardhur pak ditë më parë nga gazeta “Panorama”. Njerëzit në nevojë grumbullojnë krom në stoqe dhe e shesin atë te privatët e ndryshëm me një çmim mjaft të ulët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›