E Diel, 1 Nëntor 2026

Emina Çunmulaj sfilon për Mirela Nurçen në Nju-Jork

Shqipëria merr pjesë në javën e modës njujorkeze.
Duket se gjithmonë e më shumë stilistët e paktë shqiptarë po përpiqen të çajnë jashtë kufijve, duke u bërë pjesë e evenimenteve të ndryshme të modës nëpër botë, duke afirmuar veten e tyre, artin, kulturën, talentin, por edhe markën “Made in Albania”. Ndoshta moda dhe stilimi është një nga fushat që po ecën e zhvillohet me hapa galopantë bashkëkohorë në vendin tonë, duke u renditur pse jo, edhe me modën tej kufijve.
E kishim parë gjithmonë të sfilonte për emra të mëdhenj të modës, Armani, Marc Jacobs, Calvin Klain… dita kur Emina Çunmulaj të parakalonte mbi pasarelë me veshjet e një stilisti shqiptar dukej vërtet e largët. Ja që s’paska qenë dhe aq. Sepse nuk ka pak ditë që ka ndodhur. Modelja Emina Çunmulaj ka sfiluar për Mirela Nurçen. E jo në një aktivitet dosido. As më shumë e as më pak, në javën e modës në Nju-Jork. Më në fund drita jeshile u ndez. Pasi ka qenë një ndër stilistët e sezonit vjeshtë-dimër 2009 në “New York fashion week”, Nurçe ka fituar të drejtën për të qenë e pranishme në të gjitha sezonet e ardhshme, krahas stilistëve më në emër në botë, si Versace, Chanel, Prada, Dolce&Gabbana etj. Pikërisht në shtator, koleksioni pranverë-verë do të udhëtojë drejt Nju-Jorkut, firmosur nga Mirela Nurçe. Ftesa për të marrë pjesë në javën e modës Mirelës i ka ardhur në një moment kur nuk e kishte pritur. Sepse që të arrinte deri aty nuk kishte mjaftuar vetëm prezantimi dinjitoz. Shpenzimet i kalonin mundësitë e saj. “Arrita ta realizoj këtë falë ndihmës të Fadil Berishës, i cili sponsorizoi sfilatën time në Nju-Jork. Aty pastaj pata mundësi jo vetëm të vesh modele të njohura si Emina Çunmulaj, Miss Amerika, Miss Universi, Anxhela Martini, Lu etj., kryesisht të agjencive “Elite”, por edhe të kem një agjent timin, që quhet Dwight Broën”. Kjo ishte e para sfilatë e përmasave të tilla dhe Mirela ishte e para stiliste shqiptare që arriti të prekte një nga evenimentet më të rëndësishme të modës në botë.
Koleksioni i realizuar në kohë rekord u është shtuar tendencave të tjera të stinës së ftohtë që bën modën në Nju-Jork. Kryesisht pallto dhe pardesy, xhaketa e fustane elegante, me detaje të frymëzuara nga veshjet popullore shqiptare. Ndryshe nga herët e tjera, për këtë sezon Nurçe ka dizenjuar më pak qëndisje, më shumë tokëza, ndërkohë që nuk kanë munguar jakat e përmasave të mëdha, mëngët e dukshme, ngjyrat e ftohta të ditëve të ftohta. Kryesisht gri, e zezë, blu, bezhë kanë qenë nuancat që kanë mbizotëruar në veshjet e krijuara për stinën e dimrit të ardhshëm. Po në shtator ç’do të ndodhë? Le të presim…

16 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›