E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mema: “Nëse humbasim, lajmë duart me titullin”

Për Sulejman Memën, dy herë kampion si trajner i Tiranës, përballja me Dinamon e vendit të parë, do të jetë edhe sfida e parë e vërtetë e tij në krye të bardhebluve, pas ndeshjes së fituar me Kastriotin (3-0) në kampionat dhe barazimit me Laçin (1-1) në ndeshjen parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë.
Ish-trajneri i Partizanit i kushtoi shumë kujdes lojës mbrojtëse gjatë skemave të aplikuara në dorën e fundit të stërvitjes në “Skënder Halili”, nisur edhe nga fakti se Dinamo ka sulmin më të mirë në kampionat dhe një goleador race si kroati Pero Pejiç. Mema është ndër të paktët që gëzon një diplomë trajneri të marrë në Koverçano të Italisë. “I pari ka qenë Edmond Gëzdari, e më pas David Papadhopulli (djali i ish-presidentit të FSHF-së, Miço Papadhopulli), - thotë Mema. “Unë kam qenë në grup me Astrit Hafizin dhe më pas e bëri dhe Bujar Kasmi”. Në ndeshjen e parë, të fituar 2-0 nga Dinamo (me golat e Sefës dhe Dedes), në bankinën e bardhebluve ishte Astrit Hafizi, prej të cilit mori në dorëzim Tiranën Mema. Tekniku (me një mjekër të lehtë të bardhë e ndonjë nuancë gri - do të donte të ishte blu), ishte shumë i qetë. Shaka me lojtarët, stërvitje bashkë me ta nën urdhrat e përgatitësit atletik, Stefano Neri, por edhe bisedë të veçantë me francezin Lorent Mohelebi, i cili kreu stërvitje të diferencuar nga grupi.

Mema, një mundësi mjaft e mirë për të rihapur kampionatin?
Po, është e vërtetë. Unë mendoj se ndeshja më e fortë e Tiranës për të gjithë sezonin do të jetë kjo ndaj Dinamos, ndeshja më dinjitoze që do të bëjë Tirana është kjo për të përligjur investimin që është bërë te ky klub dhe kushtet që ka. Jemi një ekip i elitës, por dhe kundërshtari është i këtij niveli. Dinamo është një ekip shumë i konsoliduar për mua. Është një ekip problematik dhe jo më kot është në vend të parë. Unë mendoj se me një fitore nesër mund të hapet kampionati, për të qenë me moral më të mirë për vazhdimësinë e sezonit.
Tirana i lan duart me titullin nëse humbet?
Unë mendoj se po, pavarësisht se me matematikisht çdo gjë është e hapur. Nëse do të humbasim, po, por ne do të përpiqemi që të mos ndodhë kjo.
Në analizën me skuadrën i mbajtët më gjatë disa nga lojtarët kryesorë (Duron dhe Fortuzin).
Nuk diskutohet. Është natyra ime që me titullarët të flas në mënyrë më të hapur, jo për të marrë mendimin e tyre, por për t’u shpjeguar idetë që unë kam dhe t’i bind ata.
Kjo është beteja juaj e parë e vërtetë duke parë se dy ndeshjet kundër Kastriotit dhe Laçit kanë qenë teste të lehta.
Besoj se po, por unë kam pasur edhe beteja më të forta dhe besoj se do ta kaloj edhe këtë me Dinamon.
Ju personalisht keni dalë dy herë kampion si trajner, ndërsa rivali juaj, Agim Canaj, shpreson ta realizojë këtë për herë të parë. Ndikon kjo indirekt në takimin e së shtunës?
Unë besoj se po. Kam bindjen se tani ua kam injektuar thellë lojtarëve se janë ata kampionët në fuqi dhe jo kundërshtari. Kjo është detyra ime si drejtues. Mos harrojmë se dhe te Partizani, edhe pse kam punuar një vit e gjysmë, kam fituar dy kupa (Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën).
Tirana fitoi ndeshjen e parë 2-0.
Besoj se do të fitojmë edhe kësaj radhe.

Klodian Duro: “Prania e Hanit, shans për fitoren e Tiranës”

Me dhjetë gola në 19 javë dhe 6 të realizuar në pesë javët e fundit, mesfushori i Tiranës, Klodian Duro, është edhe lojtari nga i cili trajneri Sulejman Mema pret të bëjë edhe diferencën. “Të rëndësishëm nuk janë golat e mi, por është fitorja e ekipit”, - thotë ftohtë kapiteni i bardhebluve, në mungesë të Devi Mukës së dëmtuar. “Objektivi jo vetëm i Duros, por dhe gjithë lojtarëve, është të kapim sa më shpejt vendin e parë”. Klodiani ndihet shumë mirë fizikisht, formë që e ka treguar edhe në dy ndeshjet e fundit në kampionat, me Elbasanin (2-2) dhe Kastriotin (3-0), ku realizoi edhe tre gola. “Ndaj Dinamos është një ndeshje decizive, pasi ajo mban vendin e parë dhe një hap fals na çon 12 pikë larg tyre. Unë mendoj se Tirana është në gjendje të bëjë përmbysje të mëdha dhe të tregojë veten e saj në këtë kampionat”. Trajneri Mema pohoi se Tirana ka kualitete më të mira se Dinamo, por një lojtar me përvojë si Duro nuk kërkon të mbështetet te ky fakt. “Unë mendoj se Dinamo ka një grup të mirë lojtarësh dhe ka zhvilluar një kampionat shumë të mirë deri tani, por kjo nuk do të thotë që dhe ne kemi atë kolektivitet për të mos besuar te fitorja. Na takon ne lojtarëve më me stazh të japim kontributin tonë më të madh dhe të marrim më shumë përsipër për të dalë me sukses nga ndeshja derbi”. Në derbin Tirana-Dinamo do të jetë i pranishëm edhe trajneri i Kombëtares, Ari Han. “Është një motiv më shumë për të qenë më të mobilizuar, edhe pse për mua nuk do të përbëjë një faktor përcaktues, pasi tashmë prej vitesh jam pjesë e Kombëtares. Thjesht do të kisha kënaqësinë që ai të ishte një ogur i mirë për fitoren e Tiranës. Gol ndaj Dinamos? Shpresoj të vazhdoj lojërat time të mira dhe pjesë e saj është dhe goli”.

Derbi nr. 125

Tirana-Dinamo, derbi i dy ekipeve me më shumë trofe në 27 kampionatet e zhvilluara deri tani: Tirana 23, Dinamo 16, është ndezur para se dy formacionet e drejtuara nga Sulejman Mema dhe Agim Canaj të zbresin të shtunën në “Selman Stërmasi” (ora 14:30). Statistikat e përballjeve midis dy ekipeve që kanë zhvilluar deri tani 124 ndeshje e zbukurojnë më shumë këtë speciale, ku në të fundit takim midis tyre triumfoi Tirana 2-0, me golat e Sefës dhe Dedes, dy lojtarëve që do të mungojnë në ballafaqimin e dytë sezonal.

16 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›