E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurthet toponimike serbe, maqedonase, greke e italiane

Sazan GOLIKU
Në gjithë botën emrat e vendeve shkruhen e shqiptohen sipas kritereve, traditës e natyrës së gjuhës të një vendi ose shteti. Jo më kot në Fjalorin Drejtshkrimor të Gjuhës Shqipe (faqe 733-755) si shembull janë renditur emrat më të njohur gjeografikë të vendit tonë e të botës, sipas kritereve të gjuhës shqipe.
Dihet që për shkaqe politike, kulturore etj., në disa shtete është bërë një politikë e qëllimtë mbi baza të ideologjive nacionaliste e shoviniste. P.sh., serbët, duke pasur kompleksin e inferioritetit ndaj popujve që i gjetën në trojet ku u vendosën, kanë zbatuar një politikë gjuhësore të tillë, për të vërtetuar se para tyre aty s'ka pasur autoktonë, se ku ka toponime sllave është tokë sllave. Po këtë politikë ndoqi pas 1913-s edhe Greqia në trojet e pushtuara shqiptare të Çamërisë, Janinës, Konicës, Kosturit e Follorinës.
Kjo është në logjikën e mbrapshtë të pushtuesve, që shkon deri në ndryshime të emrave të njerëzve dhe vënia bishta mbiemrave sipas natyrës së gjuhës së pushtuesve. Por është fakt që Strasburgu, edhe pse ka kaluar disa herë nën zotërimin gjerman e francez, gjithherë, edhe sot e gjithë ditën që është brenda juridiksionit francez, quhet Strasburg. Duke shfrytëzuar ndarjet e ndryshme administrative-ushtarake-shtetërore-vendore të perandorive e mbretërive që u vendosën e kaluan në Ballkan dhe në vendin tonë nga Antikiteti në Mesjetë e deri në fillim të këtij shekulli, serbët krahinën ilire të Dardanisë e emërtuan Kosovo, që te shqiptarët autoktonë u përdor dhe përdoret vetëm në trajtën Kosovë-a. Pra, në hartat, në gazetat e revistat e në përgjithësi në mediat shqiptare s'ka pse të përdoret ndryshe, pavarësisht se në mediat e huaja, si rrjedhim i depërtimit të "shkencës" serbe nëpër kancelaritë e akademitë e botës, është pranuar tashpërtash trajta serbe. Është me të vërtetë revoltuese të lexosh ose të dëgjosh te ne: Huroshevac për Ferizaj, Sërbicë për Skënderaj, Igumenicë për Gumenicë, Bitolje për Manastir, Vuçitern për Vushtri, Gjakovicë për Gjakovë, Valona për Vlora, Skopje për Shkup, Skutar për Shkodër, Bar për Tivar, Thesaloniqi për Selanik etj. Qoftë nga padia, qoftë nga snobizmi, qoftë nga servilizmi, ndonjë botues ose gazetar shqiptar i shtypit ose i radiotelevizionit, ose dhe ndonjë politikan, përdor emërtime serbe, italiane, greke, maqedonase, ose dhe të ndonjë gjuhë tjetër prej nga kanë marrë informacionin. Kjo nuk është vetëm pakujdesi ose padituri, por së pari mungesë nderimi për gjuhën dhe identitetin shqiptar. Është punë e grekëve, p.sh., që sheshi me emrin shqiptar "Zhapa" në Athinë e quajnë "Zapios", ashtu si emrin e shqiptarit Marko Boçari e shkruajnë Markos Boçaris, për t'i veshur petk grek, edhe pse e dinë mirë që ky hero vetëm grek nuk është, edhe pse luftoi e ra për Greqinë. Por është detyrë, sa atdhetare aq dhe kulturore e shqiptarëve, sidomos e atyre personave publikë që ndikojnë drejtpërsëdrejti në formimin e opinionit e në ngulitjen e trajtave thjesht shqiptare të toponimeve, të shkruajnë e të përdorin në radhë të parë vetë këto trajta shqipe. Natyrisht kjo prirje duhet të jetë e pandarë edhe nga përpjekjet e pandërprera për pastrimin e pasurimin e të gjithë përbërësve të gjuhës shqipe. Dhe kjo s'kërkon as të holla as sakrifica, por vetëm pak dëshirë e krenari.

16 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›