LSI-ja, grup parlamentar me deputetë borxh nga PD-ja
PBDNJ-ja, LSI-ja, PDI-ja dhe PR-ja, pritet të krijojnë grupe parlamentare me deputetë të marrë hua nga partitë aleate
Sistemi i ri zgjedhor që u aplikua në zgjedhjet e 28 qershorit, ka prodhuar një realitet të ri politik, që pritet të ndikojë jo vetëm për sa i përket përfaqësimit politik në Kuvend, por edhe në aspektin e organizimit në grupe parlamentare. Numrat e dalë nga këto zgjedhje kanë thjeshtësuar së tepërmi situatën, ku vetëm dy forcat e mëdha, PD-ja dhe PS-ja, mundin të krijojnë grupet e tyre parlamentare të pastra.
Ndërsa të katër forcat e tjera të vogla që kanë mundur të hyjnë në Parlament, do të mund të krijojnë grupet e tyre parlamentare, vetëm nëse do të marrin borxh deputetë nga dy aleatët e tyre të mëdhenj. Megjithëse ende këto forca nuk kanë bërë të ditur nëse do të organizohen në Parlament me grupet e tyre parlamentare, duket se interesat e tyre, megjithëse në mënyrë qesharake, do t'i detyrojnë ato, ashtu si dhe shumë forca gjatë legjislaturës së shkuar, të formojnë grupe parlamentare me deputetë të huazuar nga PD-ja dhe LSI-ja. Kështu, në kampin e djathtë, megjithëse më normale do të ishte që tre forcat e vogla të këtij spektri, LSI-ja, PDI-ja dhe PR-ja të krijonin një grup të tyre të përbashkët duke marrë dhe një deputet nga PD-ja, vetëm nevoja për t'u identifikuar në marrëdhëniet brendaparlamentare, por edhe ato ekstraparlamentare, do t'i detyrojnë këto forca që të formojnë grupe të veçanta. Në këtë mënyrë, LSI-ja, për shkak të detyrimit që përcakton rregullorja e Kuvendit, që grupet parlamentare të përbëhen nga 7 deputetë, do t'i duhet që të marrë tre deputetë hua nga PD-ja, një praktikë kjo që legjitimohet deri diku për vetë faktin se kjo forcë ka mundur të fusë në Kuvend 4 deputetë të saj.
Por situata bëhet qesharake në rastin e dy forcave të tjera të djathta, PR-së dhe PDI-së, të cilat siç mësohet nga burime pranë tyre, do të kërkojnë të kenë grupet e tyre parlamentare, pavarësisht se në Kuvend do të përfaqësohen vetëm me nga një deputet. Një veprim ky që pritet të justifikohet me faktin se ekzistenca e këtyre grupeve do të bënte më të larmishme veprimtarinë e Konferencës së Kryetarëve, e cila në mungesë të këtyre grupeve, do të duhej të funksiononte vetëm me tre anëtarë, kryetarët e grupeve të dy partive të mëdha dhe me kryetarin e Kuvendit.
Ndërkohë që duke përfituar nga hapësira që krijon rregullorja e Kuvendit, grup parlamentar me deputetë borxh pritet të krijojë dhe PBDNJ-ja, aleatja e PS-së. Si përfundim, Kuvendi i ardhshëm me shumë gjasa do të ketë minimalisht 6 grupe parlamentare, megjithëse kjo do të varet shumë edhe nga zhvillimet e mëtejshme politike. Një gjë e tillë do të rriste në mënyrë artificiale, ndërmjet të tjerave, edhe shpenzimet e Kuvendit, pasi siç dihet, çdo grup parlamentar ka një trajtim financiar të veçantë, qoftë për drejtuesit, ashtu edhe për pjesën e administratës që do të mbajnë.