Kronika e zezë e Monumenteve në 50 fotot e Artan Lames
“Në fillim zhduket monumenti nga faqja e dheut dhe pastaj dalëngadalë zhduket edhe kujtimi i tij nga memoria e njerëzve. Është e dhimbshme zhdukja fizike e një monumenti, por po aq e dhimbshme është edhe zhdukja e kujtesës së tij.”- kjo është një kronikë e pandërprerë e asaj që ndodh me trashëgiminë kulturore në Shqipëri, që përpiqet ta sjellë në kujtesë të njerëzve Artan Lame, me qëllimin për t’i sensibilizuar për atë që ka ndodhur ndër shekuj e që vazhdon të ndodhë me raportet e ne shqiptarëve me trashëgiminë kulturore. Ekspozita e titulluar “50 më pak”, që u çel mbrëmë në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës me mbështetjen e fonacionit “Sorros” dhe Qendrës Shqiptare të Trashëgimisë, mblodhi akademikë, historianë e njerëz të artit dhe kulturës. Lame kishte përzgjedhur për të ekspozuar ato që ai i cilëson si perla të trashëgimisë sonë, kryesisht kisha, godina, ura, xhami, teqe e parqe të zhdukura e të shkatërruara përgjatë gjithë shekullit XX. “Kjo ekspozitë është një ballafaqim i provokuar i Artan Lames me vetveten, me historinë, kulturën tonë, e cila është karakterizuar nga shkatërrimi i vlerave që është bërë edhe në 100 vjet të historisë së shtetit shqiptar. Pas kësaj ekspozite çdo njeri nga ne do të ketë një raport më të rregulluar me atë që është historia dhe vlerat tona kulturore” - u shpreh historiani Pëllumb Xhufi. Në emër të Universitetit Europian të Tiranës, foli profesor Adrian Civici. “Shumë nga këto monumente, që nuk janë dhe qëllimi i kësaj ekspozite në mjediset e këtij Universiteti ku ka shumë të rinj e të reja, nuk është thjesht ekspozimi i fotografive, por një mesazh që i përçohet drejtpërsëdrejti atyre për t’i bërë më të ndjeshëm për të ruajtur atë që mund të ruhet dhe për të restauruar atë që mund të restaurohet, për t’i ushqyer një kulture që ne na mungon në raport me monumentet e trashëgimisë kulturore dhe mendoj se ky është vendi më i mirë ku mund të bëhet një gjë e tillë”- u shpreh në emër të Universitetit Europian të Tiranës, Adrian Civici. Ndërkohë, Artan Lame, ideatori i kësaj ekspozite, u shpreh ndër të tjera në intervistën e tij për MAPO-n, se kjo përmbledhje sjell 50 prej këtyre monumenteve të zhdukura, por që për fat të keq lista e të zhdukurve është shumë më e gjatë dhe, për fat edhe më të keq, vazhdon të zgjatet ende para syve tanë.
Si lindi ideja e një ekspozite përkujtimore për monumentet e zhdukura?
Ideja për këtë ekspozitë lindi jo vetëm thjesht nga arkivi i fotografive që mund të kem unë apo të tjerë, sesa nga ideja që, kur monumentet shkatërrohen dhe zhduken, pas disa kohëve harrojmë edhe se kanë ekzistuar, e ky është një ritual që vazhdon, prandaj gjeta këtë mënyrë për t’ju rikujtuar një pjesë të trashëgimisë sonë që nuk ekziston më as në terren, por po fillon të harrohet edhe nëpër letra. Unë u mundova që të mbledh një grup perlash të trashëgimisë që nuk ekzistojnë më, prandaj dhe çdo fotografi ka një fashë të zezë. Jam duke u munduar t’i shmangem politikës, për momentin jam përpjekur që të mbledh “shkatërrimet” nga të gjitha qeveritë, nga të gjitha kohët edhe kur shteti shqiptar nuk ekzistonte.
Derisa është një ritual që vazhdon, do të thotë se nuk janë vetëm 50 më pak, por janë shumë më shumë?
Këtu janë zgjedhur 50, por ka shumë e më shumë, prandaj mendoj që ta vazhdoj këtë ide me një triptik, ku të përfshihen edhe kategori të tjera. Këto janë akoma ide, por ndoshta njëra mund të jetë me urat e zhdukura, sepse Shqipëria ka qenë e pasur me ura prej guri pafund që i ka bërë Turqia, të cilat u shkatërruan në mënyrë të pabesueshme për shkak se nuk i mirëmbajtëm. Ndoshta mund të bëj edhe diçka me statujat, se është një mani kjo e shkatërrimit të statujave, që ka nisur që në kohën e Zogut e që vazhdon edhe sot. Dua të bëj 50 monumente që nuk janë më. Siç dhe thashë, mendoj ta vazhdoj në formën e një triptiku.
Të gjitha këto fotografi janë pjesë e koleksionit tuaj?
Pjesa më e madhe janë pjesë e koleksionit tim të fotografive, por ka midis tyre edhe kartolina të fundshekullit XX, ku tregoheshin monumente që sot janë zhdukur. Një pjesë janë fotografi të realizuara nga studio “Marubi”, ndërsa disa të tjera vijnë përmes koleksionit të Teki Selenicës, i cili më 1927 i ngarkuar nga qeveria shqiptare bëri një xhiro fotografike nëpër Shqipëri, me qëllim bërjen e një botimi që u quajt “Shqipëria më 1927” dhe për fat të mirë kjo xhiro fotografike na la një koleksion mjaft me vlerë të Shqipërisë së atyre viteve.
Kjo është një situatë që vazhdon edhe sot…
Duke ardhur këtu, më pak se para disa orësh, më sollën nga Shkodra këtë fotografi ku tregohet muri rrethues i prefekturës së Shkodrës, i cili është prishur këto 2-3 ditë. Me sa duket, ne bëjmë një konkurrencë njëri me tjetrin se kush e prish monumentin e fundit. Nuk pata kohë që t’i vija edhe kësaj fotoje një shirit të zi që ta vija në këtë ekspozitë.
Mendoni se me këtë ekspozitë do të mund të rritet ndjeshmëria e njerëzve mbi këtë fenomen shkatërrues?
Ekspozita fillon me një urë dhe përfundon me një urë. Fillon me Urën e Vezirit në rrugën Shkodër-Kosovë dhe mbaron me Urën e Peratit në Përmet dhe fakti që këto dy ura, të cilat në fund të fundit janë simbol i bashkimit dhe kalimit nga një epokë në tjetrën, nuk mbijetuan dot është një mesazh që duhet të na sensibilizojë të gjithëve
Kjo ekspozitë do të pasohet me të tjera të këtij lloji?
Për sa kohë shqiptarët do vazhdojnë të shkatërrojnë kulturën e tyre, trashëgiminë e tyre, vend për ekspozita të tilla do të ketë gjithmonë.