“Shqiptari” shfaqet në Beograd
Filmi “Shqiptari” i regjisorit gjerman Johannes Naber u shfaq mbrëmë në Beograd, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit dhe u prit mjaft mirë nga publiku dhe kritika e këtij festivali. Juritë e festivaleve zakonisht kanë vlerësuar qasjen politiko-sociale të filmit, përtej ashpërsisë me të cilët rrëfehen emocionet e rrugëtimit të vështirë të një shqiptari.
Regjisori Naber e ka realizuar filmin e tij mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Në Shqipëri zgjodhi Tropojën si shesh xhirimi, pasi protagonisti i filmit është një emigrant shqiptar nga kjo zonë në veri të Shqipërisë, që interpretohet nga aktori shqiptar Nik Xhelilaj. Historia e filmit është shkruar nga pesë autorë, mes të cilëve Andeta Spahivogli dhe vetë Naber.
“Shqiptari”, po ashtu, është filmi i tretë me histori shqiptare që ishte pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin. Ai u shfaq në seksionin “Perspektive Deutsches Kinema”.
Filmi i prodhimit shqiptaro-gjerman është vlerësuar me çmimin e parë në edicionin e 32-të të Festivalit Max Ophüls, që u mbajt në Sarrebruck më 17-23 janar. Po ashtu, filmi ka fituar edhe të tjera shpërblime, në disa festivale. Filmi rrëfen historinë e një djali malësor, Arbenit, i cili, pasi kthehet nga Greqia, detyrohet të shkojë në Gjermani, për të fituar 10 mijë euro. Kaq para i duhen për të blerë nusen e vet shtatzënë nga prindërit e saj, përndryshe ata vrasin fëmijën ose e martojnë vajzën diku tjetër. Për këto para, ai detyrohet të flejë në ndërtesa të braktisura, të bëjë punë në të zezë, të trafikojë dhe të vrasë. Ai nuk di se ç'është interneti, nuk e ka idenë ç'janë homoseksualët dhe bredh nëpër Gjermani me një fjalor gjermanisht-shqip nën sqetull. Arbeni detyrohet të vrasë një mafioz, për t'i marrë paratë që i duhen. Kur kthehet me paratë, vajza nuk është më në shtëpinë e saj. E kanë përzënë. Ajo ndodhet në një psikiatri në Tiranë. Filmi përfundon me takimin e çiftit. Filmi është shfaqur në Tiranë, por ende jo në Prishtinë.