E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kronikë homazh e përgatitur nga “Top Channel”

Autori i Lajmit: red.
Ndahet nga jeta tragjikisht pas një aksidenti të rëndë rrugor presidenti i Top-Medias, Dritan Hoxha. Bota e medias dhe veçanërisht Top Media, Top Channel,Top Albania Radio, Dixhitalb janë në një gjendje shoku, pas lajmit se Dritan Hoxha, president i Top Medias dhe themelues e krijues i Top Albania radios, Top Channel dhe Dixhitalb, është ndarë në mënyrë tragjike nga jeta, në të gdhirë të datës 23 maj 2008. Dritan Hoxha, i cili mbushte 40 vjeç këtë vit, është shuar pak minuta pas një aksidenti të rëndë me makinen e tij në një prej rrugëve kryesore të kryeqytetit, shumë pranë studiove të Top Channel. Ne si punonjës dhe bashkëpunëtorë të tij, jemi ende në kërkim të fjalëve, për të shprehur dhimbjen e madhe që na ka mbërthyer në këto orë, kur Tani, ashtu si të gjithë e thërrisnim ne, nuk është më. Pa dyshim, humbja më e madhe njerëzore është për familjen e tij, për nënë Zyranë, e cila e rriti Dritanin, në mungesë të babait të tij, që për rastësi tragjike, ishte shuar edhe ai në një moshë të re. Humbja është e pazëvendësueshme për gruan e tij, Vjollcën, me të cilën ai krijoi familjen e tij të shtrenjtë. Dritan Hoxha do t i mungojë tri vajzave Lorit, Sarës, Redias si dhe djalit të vogël, Itan,i cili lindi vetëm një vit më parë.
Dritan Hoxha do t i mungojë Top Channel, pasi do t i mungojë motori i pashtershëm i ideve, projekteve të guximshme dhe ambicioze që kërkonte t i realizonte, dhe t i realizonte shpejt. Dritan Hoxha do t i mungojë Top Albania Radios, krijesës së tij të dashur dhe të parë mediatike. Dixhitalb do të ndiejë mungesen dhe peshën e madhe të kujdesit. Por në një farë mënyre, Dritan Hoxha është kudo, në çdo qelizë të Top Medias, në çdo sekondë që ne transmetojmë në eter. Në eter aty ku tani endet edhe shpirti i personit që u njoh si Tani i Topit, dhe si i tillë do të mbahet mend përgjithmonë.

Ky lajm është publikuar: 24/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›