E Shtunë, 31 Tetor 2026

A do ta dëgjojë kush Presidentin?

Martin Leka 

Duhet, por ende nuk besoj. Nuk besoj, sepse besoj se mentaliteti i klasës politike shqiptare ende nuk është në nivelin e perspektivës, por në nivelin e punëve të ditës, të detyrave të çastit, të cilat, për fat të keq, edhe ato i bën me "gabime"...
"Eshtë e papranueshme që në vitin 2008, ne të kemi një fizionomi turistike në breg që u ngjan vendeve mesdhetare të viteve '50. Këtë askush nuk duhet ta pranojë dhe është e papranueshme gjithashtu, dhe këtë e konstaton çdo njeri që kalon në bregun e Jonit, që të kemi ndërtime ordinere... në bregun ndoshta më të bukur, ose ndër më të bukurit të Mesdheut". Kështu tha para dy ditësh Presidenti i Republikës, Topi, në një konferencë të organizuar në Himarë, një ndër perlat e bregdetit shqiptar të Jonit.
Në fakt, gjendjen e njohin të gjithë qytetarët shqiptarë, mjafton të bëjnë një udhëtim drejt vendeve turistike. Por shqetësimi dhe konstatimi i Kreut të Shtetit duhet të jetë një sinjal alarmi për ekzekutivin dhe ligjvënësit, për politikën në përgjithësi. Sepse shpesh, këta kujtohen për turizmin vetëm kur u vjen koha "të heqin xhaketat", të shullëhen e të lahen... Ata, edhe atëherë, e shohin gjendjen e mjerueshme, ndonëse vetë kanë mundësi të gjejnë një vend të pastër, jashtë ndoshta...
Presidenti foli për bregdetin e Jugut. Por ende më ordinere duket gjendja në vende të tjera të frekuentueshme në sezonin turistik veror. Në Lezhë, përveç Shëngjinit, ka edhe një plazh të bukur e të virgjër. Tale quhet dhe për ata që kanë qenë qoftë edhe një ditë, quhet "plazhi i jodit" për shkak të vlerave kuruese. Për të arritur atje duhet të shkosh përmes dy rrugëve: për ata që vijnë nga drejtimi i Tiranës, duhet të kthehen në Zejmen. Për ata që vijnë nga drejtimi i Lezhës, duhet të kthehen në drejtim të Rrilës. Të dyja këto rrugë janë për faqe të zezë, shqip. Nuk ia vlen barra qiranë të lësh rrugës gomat e makinës...
Po të shkosh në cilindo prej plazheve tona, ajo që të bën përshtypje është infrastruktura e dobët (ordinere) për pritjen e pushuesve. Nuk mendoj se mund të ketë plazhe në rajon e më gjerë ku bie në sy një turizëm amator, i papërgatitur, rastësor, ku gjëja më e mirë është pikërisht ajo që ka bërë natyra. Dhe të mendosh se sa bujare ka qenë natyra me Shqipërinë në këtë aspekt, i bie se sa të padenjë i paskemi pasur politikat e qeveritë që nuk ditën ta kthejnë natyrën në dobi të qytetarëve. Këtu nuk ka vend për të qenë nihilist. Por kur mendon se sa bujare ka qenë natyra me ne, mendoj gjithashtu se sa të ashpër kemi qenë ne me veten tonë...
Më tha një kolegu im se në konferencën e Himarës, në të cilën merrnin pjesë edhe ministri i Bujqësisë dhe ai i Punës, qenka diskutuar me të madhe zhvillimi i olivikulturës. Për ata që nuk e dinë, bëhet fjalë për zhvillimin e bimës së ullirit. Nuk e di se si, por mendja më shkon se duhet të stimulohet mbjellja dhe kujdesi ndaj ullirit. Në fakt, nuk është ndonjë çudi e madhe, madje mund të jetë efikase për një kohë perspektive. Megjithëse mesa di unë, në të gjitha brigjet e Mesdheut është braktisur ky prioritet. Por a duhet të jetë ky prioriteti? Dikur, propaganda e shtetit komunist, me aksione kombëtare e lokale, bëri mjaft punë në fakt, por për dreq, për 17 vjet rresht këtu ullinjtë e drufrutorët, këto pasuri të mëdha vetëm u degraduan. Pra, edhe pse qeveria komuniste e kishte prioritet ullirin, qytetarët e kërkonin për "ilaç" një filxhan vaj ulliri. Ndërsa sot, të gjithë jemi dëshmitarë të bollëkut të tij. Pra, për të mos e zgjatur, më duket një luks i madh të flasësh sot në Himarë për zhvillimin e olivikulturës, kur në këtë perlë mund të kishte një rrugë moderne e model e ku ndoshta me paratë e donatorit të këtij seminari, bashkia e Himarës mund të kishte shtruar dy nga rrugët e saj, ku prej 6 vjetësh nuk ka shtruar më shumë se 200 metra rrugë në lagjen "Potam"...?! Apo ndoshta mund të kishte kursyer diçka nga administrata prej 93 vetash apo 11 policët bashkiakë...
Për fat të keq, kryetarin e Bashkisë së Himarës e njohin më shumë si politikan se sa administrator të punëve të bashkisë e shqetësimeve të qytetarëve... Kështu duhet të jetë edhe me të gjithë ata administratorë të rajoneve turistike, përderisa kemi këtë gjendje. E cila do të ndryshojë vetëm kur të ndryshojë mentaliteti dhe interesat!
A do ta dëgjojë kush Presidentin?! Ndoshta ata që duhet ta bëjnë këtë, po mendojnë se si t'i heqin edhe ndonjë kompetencë nga ato që i njeh Kushtetuta! Ndaj dhe punët na ecin kështu... Si në turizëm...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›