E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimet e ndryshme në privatizim, absurde të barazohen sot

Autori i Lajmit: red.
“Kur u bë privatizimi në 92, doli Vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili ka pasur parametrat e llogaritjeve të çmimeve për çdo apartament që do të privatizohej. P.sh, nuk kishin çmim të njëjtë dy apartamente që ishin në të njëjtin pallat, me të njëjtën kubaturë, njëri në katin e dytë, tjetri në katin e pestë, për arsye të katit, por edhe për arsye të numrit të frymëve. Gjendja Civile në 92, me 6 veta e lart kishin ulje çmimi, sikurse kishte ulje çmimi edhe për katin. Ulje të tilla që shkonin në 10% aplikoheshin për banesat e ndërtuara me kontribut vullnetar. “Kur kemi çmime të ndryshme në privatizim, çfarë logjike ka të vlerësohen me çmim të njëjtë në shitje? Nuk është e drejtë gjithashtu, që një apartament që nuk është fare i rregulluar (sepse aty mund të kenë jetuar pleq), tatohet njësoj me një tjetër në të njëjtin pallat, me të njëjtën kubaturë i cili ka i është nënshtruar një restaurimi, shpenzimet e të cilit udhëzimi nuk i ka llogaritur fare. Pothuajse nuk ka shqiptar, që nuk ka investuar mbi këto apartamente të vjetra. E gjithë kjo nuk mund të konsiderohet si fitim, por është një investim, është djersa e atij që po e shet në një formë tjetër. Dhe tek kjo diferencë duhet gjetur mënyra e pagimit. Çdo qytetar që ka bërë investime, normalisht duhet të ketë të bashkangjitur edhe preventivin e investimit. Por, edhe pa investim nuk është e njëjtë vlera e lekut para 15-20 vjetësh e tani.”. Kështu thonë noterja Alida Tamo dhe topografja Myzefere Kalladaku. Sipas tyre, edhe zbritja 70% e çmimit fiskal është njësoj si për pallatet e ndërtuara në vitet 50, 60, 70 madje edhe në vitet 80 e deri në vitin 95. Por sidomos apartamentet në pallatet e vjetër me çati dhe kallama vlerësohen edhe prej notereve të tjera, si të pashitshme me çmimet e qeverisë, madje, të gati-të pashitshme, edhe jashtë këtyre çmimeve.

Ky lajm është publikuar: 24/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›