E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kronikë provinciale nga Berati

Katër vjet pas xhirimeve, filmi i Artan Minarollit me protagonistë Tedi Papavramin e Arta Dobroshin, në ekranin e kinemasë. Një histori komike e shkruar nga autori i "Slogans", Ylljet Aliçka


Elsa Demo

Katër vjet që nga koha e xhirimeve, aq sa iu desh të rritej dhe të fitonte një vend në produksionet perëndimore, emri i Arta Dobroshit, dhe filmi "Kronikë provinciale" më në fund në premierë.

Shfaqja për herë të parë e filmit me regji të Artan Minarollit, që do të jetë një projeksion për median, bëhet ditën e premte, më 10 prill në orën 11.00. Me këtë rast përurohet një sallë e re kinemaje e strehuar në nëntokën e qendrës tregtare "Kristal", në Rrugën "Komuna e Parisit".


Për autorët, regjisori Minarolli dhe skenaristi Ylljet Aliçka (autor i "Slogans" me regji të Gj. Xhuvanit) mbi një tregim të shkurtër të të cilit është bazuar kjo histori, "filmi "Kronikë provinciale" trajton dukuri të rilindjes sociale, shpirtërore e politike të tranzicionit postdiktatorial në një qytet provincial në jug të Shqipërisë, që jeton në thjeshtësinë, në përditshmërinë, në meskinitetin dhe madhështinë e tij.


Një kronikë e zhurmshme, një përrallë për tolerancën dhe intolerancën, për pavarësinë e mendimit dhe respektin ndaj tjetrit."


Një piktor (Tedi Papavrami) rikthehet në atdhe, në një qytet të vogël, dhe shumë shpejt jeta e tij do të përfshihet në rrymën e qyteteve të vogla, të cilat i japin njeriut vetitë e lëkurës së kameleonit.

Ai dashurohet me një vajzë (Arta Dobroshi) dhe takimet e tyre nuk mund të jenë të lira, por nën mbikëqyrjen e të tjerëve, sidomos të burrave të provincës të cilët nga ana e tyre përfaqësojnë tipet e një shoqërie që ec e ngec.


Violonisti Tedi Papavrami e ka këtë rol të dytin e karrierës si aktor, rol i cili i erdhi pas interpretimit në versionin e ri të filmit francez "Lidhje të rrezikshme" përkrah aktores së njohur Katrin Dënëv.

Ndërsa Arta Dobroshi ishte akoma duke u sprovuar nga filmat e regjisorëve shqiptarë, për t'i qeshur fati me të madhe dy vjet më vonë me "Heshtjen e Lornës" të vëllezërve Dardenne.


Trupa e aktorëve që përbëjnë zhaurimën e provincës, është parë shpesh të luajnë si ekip edhe në filmat e tjerë si "I dashur armik", "Slogans" të Gjergj Xhuvanit, "Mao Ce Dun" i Besnik Bishës. Janë Ndriçim Xhepa, Mirush Kabashi, Fadil Hasa, Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Natasha Sela, Birçe Hasko, Vangjel Toçe, Marko Bitraku, Guljelm Radoja, Sheri Mita etj.


Ky është filmi i fundit që sjell në ekran pas vdekjes portretin e aktorit të rrallë komik Aleko Prodani. Vjen edhe Agim Qirjaqi pas pauzës së rëndë që ka pësuar këto dy vjet karriera e tij në kinema dhe në teatër.


Pas premierës për median, autorët dhe producentët do të japin një konferencë për shtyp. Premiera zyrtare nis po të premten, në orën 19.30, në kinemanë e Cristal Center, ndërsa për publikun e gjërë të kryeqytetit filmi nga dita e shtunë e në vazhdim.


"Kronikë provinciale" është produksion i "Albimazh"- Loreta Mokini (Shqipëri), "8 et Plus"- Didier Couedic (Francë), "Revolver" - Paolo Maria Spina (Itali), i realizuar me financimin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Fondin e Jugut të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës.


Filmi është xhiruar në Berat "qyteti më i çuditshëm i botës mbas Venecies", siç do ta quante gazetari italian Indro Montanelli. Ndërsa muzika është shkruar nga Fatos Qerimi.


Pas "Kronikës" regjisori Minarolli do të ketë shumë shpejt një tjetër premierë. Autori i filmave artistikë "100%" (1994), "Plumbi prej plasteline" (1995), "Nata pa hënë" (2001), i prezanton publikut një vepër të vetën origjinale të shkruar prej tij. Quhet "Gjallë" dhe shfaqet premierë këtë qershor.


Ish presidenti vazhdon të shkruajë kujtimet
Moisiu: Historianët shkruajnë siç jua diktojnë


Vëllimi i tretë i kujtimeve të ish- presidentit Alfred Moisiu dhe që mendohet të botohet me titullin "Presidenti Moisiu mes Nanos dhe Berishës", pritet të dalë në qarkullim së shpejti. Pjesë të këtij vëllimi ai i ka bërë dje publike në teatrin "Petro Marko" të qytetit të Vlorës ku Moisiu mban titullin "Qytetar nderi".

Bëhet fjalë për ngjarje, përjetime, fakte historike, të cilat datojnë prej viteve të luftës, e deri më sot. Studiues vlonjatë i janë drejtuar figurës së Moisiut, rolit që ai pati në jetën shoqërore shqiptare, por edhe historisë së familjes së tij prej të cilës kanë dalë personalitete që kanë një kontribut të çmuar në jetën e vendit.


Kryebashkiaku Shpëtim Gjika tha se "ky botim, vjen në një moment domethënës për të gjithë ne, për vetë intensitetin e ngjarjeve që po kalon Shqipëria. Ai na fton të kthejmë kokën pas e të hedhin vështrimin në histori, për të parë ku kemi kaluar dhe për të vlerësuar kohën që po jetojmë e hapat që duhet të hedhim."


Libri i Alfred Moisiut, nuk është thjesht dhe vetëm historia e një prej familjeve më të njohura në Shqipëri, por është vetë historia e Shqipërisë, për periudhën që përshkruan. Në një mënyrë krejtësisht të veçantë, të perceptueshme dhe të prekshme, në të vijnë ngjarje dhe personazhe, emra që i kemi dëgjuar dhe lexuar, protagonistë të momenteve të rëndësishme që kanë lënë gjurmë në rrugën dhjetëra-dekadëshe të vendit tonë.


Duke marrë fjalën në këtë takim, ish- presidenti i republikës së Shqipërisë tha se "nuk pretendoj të jem shkrimtar, nuk jam historian, por ka fakte e ngjarje që duhen radhitur, për t'i patur parasysh të rinjtë.

Kjo punë filloi për të bërë një përmbledhje për të afërm të mitë, por dikush më këshilloi ta zgjeroj dhe unë jam përpjekur që gjërat t'i them realisht. Fatkeqsisht historianët shkruajnë si u thonë dhe unë shpresoj që një ditë ngjarjet të shkruhen si janë".

Vepra e fundit e Dedjës

Me rastin e 5-vjetorit të ndarjes nga jeta të profesorit, akademikut dhe shkrimtarit për fëmijë, Bedri Dedja, Departamenti i Psikologjisë së Universitetit "UFO" në Tiranë organizon konferencën përkujtimore si dhe promovimin e librit të tij të fundit për fëmijë: "Presidenti i Planetit të Kuq".

Konferenca zhvillohet më 9 prill, ora 18.00. Të ftuarit do të diskutojnë për Bedir Dedjën psikolog, akademik dhe ndikimin e tij në qarqet akademike në Kosovë si dhe për librin e tij të fundit, për të cilin do të flasë e bija autorit, Edlira Dedja.


Grejsi ka shkuar

"Grace Is Gone" një film dramatik (2007) me protagonist aktorin John Cusack, prej datës 3 prill po shfaqet në kinemnë "Imperial".

"Grejsi ka shkuar" është historia e një babai i cili përpiqet të mos u tregojë dy bijave të tij se ëma e tyre ka vdekur gjatë shërbimit në Irak. Stenli duhet të bëjë një bilanc të jetës së vetë dhe për të përballet me mungesën e thellë që vajzat ndjejnë për të ëmën. Prandaj ai vendos të nisën të tre në një udhëtim.
Filmi me skenar të James C.

Strouse-it, është edhe një debutim si regjisor i këtij autori ka fituar çmimin e publikut si vepër dramatike në Festivalin e Filmit në Sundance.
Ndërsa muzika e Clint Eastëood-it ka qenë nominuar për çmim, po ashtu edhe kënga që mban titullin e filmit "Grace is Gone". Në rolet kryesore interpretojnë John Cusack, Dana Lynne Gilhooley, Shélan O'Keefe dhe Gracie Bednarczyk.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›