Përplaset me murin, humb jetën i riu
Mariglen Lushnjari ka qenë duke udhëtuar me shpejtësi të madhe dhe nuk ka mundur të manovrojë për t'i shpëtuar përplasjes
ELBASAN - Ka ndërruar jetë 20-vjeçari Mariglen Lushnjari, i cili duke udhëtuar me automjetin e tij është përplasur me murin e një shkolle.
Përplasja ka qenë e fuqishme aq sa mjeti është shtypur në pjesën e përparme, ndërsa i dëmtuari është dërguar menjëherë në spitalin kirurgjik të Elbasanit, ku ka gjetur vdekjen. 20-vjeçari mësohet se udhëtonte me mjetin e tij tip "Audi" me targa TR 7876 F në segmentin Elbasan-Librazhd.
Ai ka humbur kontrollin dhe është përlasur me murin e shkollës 9-vjeçare në Mengël rreth orës 01:30. Banorët kanë dëgjuar përplasjen e fuqishme dhe kanë parë se brenda mjetit ndodhej i riu. Menjëherë ai është dërguar në spitalin kirurgjik të Elbasanit.
Por ndërhyrja ka rezultuar jo e dobishme dhe rreth orës 4 të mëngjesit ai ka ndërruar jetë. Familja e lajmëruar për ngjarjen ka pritur në ankth orët në spital, por për të riun me plagë të shumta në trup vdekja ka qenë e paevitueshme. Sipas të dhënave të policisë, ka qenë shpejtësia tej normave që ka shkaktuar humbjen e kontrollit. Mendohet që shpejtësia të ketë qenë mbi 150 km në orë.
Gjithsesi nga ekspertët është duke u verifikuar mjeti dhe konkluzionet përfundimtare do t'i nxjerrë ekspertiza. I riu kishte dalë me shoqërinë në një festë të përbashkët në një lokal në këtë zonë, kur është shkëputur për të blerë diçka dhe duhet të kthehej. Miqtë e tij kanë pritur më kot kthimin e të riut. Përplasja me murin ka qenë fatale.