E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kruja letër Ramës: Po i shmangeni ligjit për auditimin

“Auditimi i Bashkisë Tiranë është në kompetencë të prefektit të Tiranës, ashtu sikurse kontrollohet dhe auditohet çdo organ i qeverisë vendore të Qarkut Tiranë dje jo vetëm për fondin e veçantë. Në këtë kuadër, këtu nuk ka synim për ndërhyrje apo cenim të kompetencave Tuaja ligjore”, shkruan prefekti Keltis Kruja.

Ai sqaron se bazuar mbi ligjet dhe Kushtetutën e vendit, në asnjë rast kërkesa e prefekturës nuk cenon autonominë vendore. “Përpjekja Juaj për të justifikuar mospërmbushjen e detyrimeve Tuaja ligjore si sulme politike nuk është gjë tjetër veçse një dëshmi e qartë që tregon se Bashkia Tiranë qeveriset nga Ju në mosnjohje të thellë të ligjeve si rrjedhojë edhe në shkelje të plotë të tyre”, vijon letra drejtuar Ramës.

Duke përmendur ligjet përkatëse, prefekti Kruja bën me dije se Institucioni i Prefektit nuk ka ndërhyrë mbi autonominë dhe se sipas tij, Rama refuzon të njohë autoritetin e Prefektit të Tiranës, duke e akuzuar atë se në mënyrë të përsëritur nuk ka plotësuar detyrimet ligjore.

“Provoja në kompetencën vendore nuk presupozon shtrembërimin e fakteve dhe referencës ligjore apo tymnajës që mundoheni të shpërndani në shkresën tuaj. Konfuzionin tuaj në interpretimin e ligjeve e mirëkuptoj plotësisht, qoftë për shkak të formimit tuaj profesional, qoftë për shkak të mosdrejtimit të bashkisë nga ju personalisht por nëpërmjet administratorësh apo drejtorësh”, vijoi letra.

Në fund të deklaratës, Kruja rithekson edhe një herë se ushtrimi i kompetencave ligjore nuk përbën kërcënim, por ushtrim të kompetenca ligjore që sipas Prefektit, Rama u shmanget.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›