Analizat, helmimi i dasmorëve nga parfeja
VLORE - Mbërrijnë nga Tirana përgjigjet e analizave për shkakun e helmimit masiv të dasmorëve në Vlorë. Analizat nxorën rezultatin se dasmorët ishin prekur nga mikrobi i salmonelës dhe mbartëse e tij ka qenë qumështi me të cilin pastiçeria kishte përgatitur parfenë për ëmbëlsirë. Përfaqësues të Drejtorisë të Shëndetit Publik bënë të ditur se dje mbërritën nga Tirana analizat nga kampionet e marra të dasmorëve të helmuar dy javë më parë. Në spitalin e Vlorës përfunduan rreth 30 dasmorë. Në sajë të analizave laboratorike baktereologjike rezultoi se 18 persona ishin prekur nga mikrobi i salmonelës, i cili ndodhej në ëmbëlsirën parfe të konsumuar prej tyre. Mbas këtij konstatimi mësohet se punonjësja e pastiçerisë do të largohet nga puna, ndërsa ndaj pronarit do të ketë masa administrative. Ngjarja ndodhi dy javë më parë, pas një dasme në qytetin e Vlorës. Të hënën tek shumë dasmorë filloi çrregullimi pastro-intenstinale, të shoqëruara më të vjella, diarre dhe temperaturë. Pasditen e së hënës disa prej tyre iu drejtuan për ndihmë spitalit. Numri i të shtruarve arriti në 30 persona të moshave të ndryshme, por pati edhe shumë të tjerë të cilët u mjekuan në ambiente shtëpiake. Në spitalin e Fierit përfunduan me të njëjtat simptoma edhe krushqit. Personat që u prekën më rëndë nga ky helmim masiv qëndruan në kushte spitalore për 10 ditë rresht e më pas ata morën mjekime edhe në ambiente shtëpiake. Pronarit të lokalit ku u bë dasma do t'i jepet e drejta ta rihapë atë pas mbylljes nga organet shëndetësore, deri në përfundim të analizave. q.b