E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krujë, plagoset punëtori kinez pas shpërthimit në fabrikën e çimentos

Një punëtor kinez ka mbetur i plagosur, pasi ka rënë nga lartësia, i trembur nga një shpërthim në fabrikën e çimentos në Krujë. Ngjarja ka ndodhur në ditën e djeshme në fshatin Borizanë, teksa punëtorët po punonin për zgjerimin e një territori. Xeng Uling ishte duke punuar në një ndërtesë, kur ka ndodhur shpërthimi i eksplozivit. I gjendur pa mendje, 34-vjeçari nuk ka arritur që të mbajë ekuilibrin dhe është rrëzuar nga një lartësi e madhe, duke pësuar dëmtime të rënda. Menjëherë ndaj tij është dhënë ndihma e parë, duke e transportuar atë në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Sipas mjekëve, gjendja e punëtorit kinez është e rëndë, pasi ai ka pësuar goditje të forta nga aksidenti. Ata po punojnë për të mbajtur në jetë të dëmtuarin, edhe pse plagët e marra janë të rrezikshme. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar edhe policia, e cila ka nisur nga puna për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje. Janë marrë dëshmitë e para nga punëtorët e tjerë. Punëtorët ishin duke zgjeruar një territor, i cili do t’i shërbente fabrikës së çimentos. Megjithatë, ata kanë qenë të pavëmendshëm, për sa i përket kolegut të tyre, duke mos e lajmëruar atë për shpërthimin e radhës. Duket se një gjë e tillë ka qenë fatale për punëtorin kinez, i cili është trembur nga zhurma e bërë, duke humbur ekuilibrin. Sipas burimeve të policisë, “gjatë shpërthimit të eksplozivit nga një tjetër punëtor për zgjerimin e territorit, 34-vjeçari Xeng Uling është trembur dhe ka rënë nga një lartësi duke pësuar dëmtime të rënda”. Pas hetimeve të para dyshohet se aksidenti ka ndodhur si pasojë e mosrespektimit të rregullave të punës. Burime nga policia sqarojnë se shkak ka qenë afërsia e vendi, ku po punonte 34-vjeçari, nga vendi ku ndodhi shpërthimi me eksploziv. Policia ka shoqëruar për në komisariat një punëtor tjetër, si dhe pronarin e fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›