E Diel, 1 Nëntor 2026

Mospjesëmarrja e Alibeajt në votim, në përmbushje të detyrimeve kushtetuese

Një ditë pas shkarkimit të tre gjyqtarëve të çështjes “Delijorgji” dhe disa shkrimeve mediatike, se ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, nuk kishte marrë pjesë në votim, ka reaguar Ministria e Drejtësisë. Institucioni i lartë i Drejtësisë e konsideroi dje si përmbushje të detyrimit kushtetues dhe ligjor mospjesëmarrjen e ministrit Enkelejd Alibeaj në procesin e votimit, që u zhvillua dy net më parë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, për shkarkimin e tre gjyqtarëve që në vitin 2007 pushuan çështjen në ngarkim të Mihal Delijorgjit, i akuzuar në atë kohë për evazion fiskal dhe tashmë i arrestuar për ngjarjen e 15 marsit, në Gërdec të Bashkisë së Vorës, Tiranë. “Mosmarrja pjesë e ministrit të Drejtësisë në momentin e votimit ka qenë në përmbushje të plotë të detyrimeve kushtetuese e ligjore dhe një standard në drejtim të sigurimit të një procesi të rregullt ligjor”, - thuhet në një deklaratë për shtyp të Ministrisë së Drejtësisë. “Ligji parashikon në mënyrë të shprehur se ministri nuk merr pjesë në votim, sepse vota e tij është tashmë e deklaruar publikisht. Ky parashikim është në përputhje edhe me standardet e procesit të rregullt ligjor, të garantuar nga Kushtetuta dhe Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, si një e drejtë themelore, pjesë e të cilës është barazia e palëve në një proces ligjor. Sipas ligjit, edhe gjyqtari i proceduar nuk merr pjesë në procedurën e votimit”, - sqaron Ministria e Drejtësisë. Reagimi i kësaj ministrie vjen pas shkrimeve të botuara në disa gazeta lidhur me mospraninë e ministrit në procesin e votimit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, për shkarkim nga detyra të tre gjyqtarëve të Apelit Ushtarak në Tiranë, të cilët në vitin 2007, në kundërshtim me ligjin, pushuan çështjen për evazion fiskal në ngarkim të shtetasit Mihal Delijorgji, njëri nga tre të arrestuarit për ngjarjen e 15 marsit në fshatin Gërdec të Bashkisë së Vorës.

Mbledhja

Mbledhja është zhvilluar dy ditë më parë me dyer të mbyllura dhe ka vijuar për rreth 4 orë. Në fillim të saj, tre gjyqtarët për të cilët ministri kishte depozituar kërkesën për procedim disiplinor, kanë kërkuar përjashtimin nga votimi të nënkryetarit të KLD-së, për të cilin janë shprehur se i ka paragjykuar para se të “gjykoheshin” në mbledhjen e KLD-së, duke deklaruar se do t’i shkarkonte. Mbledhja ka vijuar me relativin e ministrit Alibeaj dhe më pas me mbrojtjen e avokatëve, të pranishëm në mbledhje, por të përfaqësuar juridikisht me avokatin e tyre, Marash Ibraj. Në përfundim të mbledhjes, vetë numri dy i KLD-së, Kreshnik Spahiu, doli në një konferencë për shtyp dhe deklaroi se shkarkimi i tre gjyqtarëve: Ylli Mnika, Shaqir Gradica e Naum Pejo, u vendos me shumicë të cilësuar. Çështja penale e gjykuar nga tre gjyqtarët Ylli Mnika, Shaqir Gradica e Naun Pejo i referohet procesit penal në ngarkim të shtetasit Mihal Delijorgji, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “falsifikimit të vulave, stampave ose të formularëve”, si dhe “kontrabandës me mallra të tjera”. Në këtë proces, nga ana e trupës gjyqësore është vendosur gjithashtu mbi padinë civile me palë paditëse: Dega e Doganës Durrës, palë e paditur Shoqëria Tregtare “Përparimi” sh.a., me objekt detyrimin e shoqërisë së sipërcituar për të shpërblyer dëmin e shkaktuar ndaj shtetit, në shumën e përgjithshme 122.668.851 lekë, dhe në përfundim prej tyre është vendosur pushimi i çështjes penale ndaj të pandehurit Mihal Delijorgji, si dhe rrëzimi i padisë civile në procesin penal. Në përfundim të procedimit disiplinor, Këshilli i Lartë të Drejtësisë, me shumicë të cilësuar të anëtarëve të pranishëm, ka evidentuar shkelje të ligjit procedural penal nga kolegji gjyqësor i përbërë nga gjyqtarët Shaqir Gradica, Ylli Mnika dhe Naum Pejo, e në mënyrë të veçantë të nenit 68, paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Penale. Sipas kësaj dispozite, kur ndaj të pandehurit vendoset pushimi i çështjes penale, padia civile në procesin penal lihet e pashqyrtuar. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka konstatuar se rrëzimi i padisë civile, në një proces penal, në përfundim të të cilit është vendosur pushimi i çështjes penale në ngarkim të të pandehurit, vjen në kundërshtim të hapur me dispozitën e mësipërme urdhëruese të ligjit procedural penal dhe në të njëjtën kohë, ka sjellë pasoja të rënda për shtetin shqiptar, duke i hequr këtij të fundit mundësinë e pretendimit para një gjykate, të shpërblimit të dëmit në masën e konsiderueshme prej 122.668.851 lekësh. Për këto arsye, ndaj gjyqtarëve Shaqir Gradica, Ylli Mnika dhe Naum Pejo, Këshilli i Lartë i Drejtësisë mori masën disiplinore të shkarkimit nga detyra.

Detaj

3 gjyqtarët u shkarkuan nga KLD me propozim të ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›