E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italiani, klient në hotel, vjedh monitorin dhe largohet

Një italian është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit, pasi ka vjedhur monitorin e një kompjuteri në hotelin në të cilin qëndronte. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, ku pas denoncimit të kryer nga ana e përfaqësueseve të hotelit, uniformat blu kanë arritur në përfundimin se autor i saj ka qenë klienti nga vendi fqinj, emri i të cilit nuk bëhet i ditur. Ai kishte zgjedhur që të kalonte disa ditë në Shqipëri dhe ka menduar që të lërë edhe “shenjë” gjatë qëndrimit këtu. Për më tepër që mund ta ketë tepruar edhe me shpenzimet dhe marrja e një monitori nga ambientet e hotelit ku ai qëndronte, është menduar si zgjidhja e halleve të tij. Dhe mbarimi i afatit të qëndrimit ka çuar në realizimin e planit. Mungesa e ekranit ka bërë që në hotelin “Tirana International” të dyshohej për vjedhje. Megjithatë, një vjedhje e tillë duket se ka çuditur drejtuesit, të cilët sigurisht nuk do ta kishin menduar se mund të ndodhnin raste të tilla, për më tepër nga një klient i huaj, që kishte zgjedhur të qëndronte në këtë vend. Menjëherë është lajmëruar policia e Tiranës, e cila ka nisur nga puna për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Pas hetimeve ka rezultuar se fajtor është një klient i hotelit me kombësi italiane. Uniformat blu njoftojnë se kanë arritur që të identifikojnë autorin, por për arsye hetimi nuk publikojnë gjeneralitetet e tij. Italiani, pasi ishte strehuar disa ditë, kishte realizuar edhe misionin e fundit para se të ikte në vendlindjen e tij. Aktualisht nga specialistët pranë Seksionit Kundër Vjedhjeve të Biznesit po punohet për kapjen e autorit të dyshuar.

Shqiptarët janë akuzuar shpesh nga mediat italiane si hajdutë dhe janë kritikuar për veprimet e tyre, në disa raste edhe me të drejtë. Por duket se një “ves” të tillë e kanë edhe shtetasit e vendit fqinj, të cilët nuk janë aq të pafajshëm sa mendohet. Për më tepër që ata bëhen autorë të vjedhjeve të çuditshme, siç ishte rasti i shtetasit italian, i cili përpara se të ikte nga vendlindja mori si “suvenir” nga “vendi i shqiponjave” një monitor kompjuteri. Pa pyetur dhe jo si dhuratë, por duke e vjedhur atë. Të paktën mësuam një gjë, që edhe italianët vjedhin dhe nuk janë të gjithë perfektë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›