Durrës; Përfundojnë hetimet, akuzë për prostitucion për Indrit Taullajn
Krahu i djathtë i kapobandës së Durrësit, Lulzim Berisha, përfundon në gjykatë me një tjetër akuzë, “shfrytëzim prostitucioni”. Burime zyrtare nga Prokuroria e Durrësit bëjnë të ditur se nga ana e këtij organi kanë përfunduar hetimet për shtetasin Indrit Taullajn dhe dosja shkon në gjykatën e këtij qyteti për gjykim. Sipas të njëjtave burimeve zyrtare, prokuroria e qytetit bregdetar vërteton se ky shtetas ka konsumuar veprën penale të “shfrytëzimit për prostitucion”, pasi ka shfrytëzuar si prostitutë në Itali shtetasen me inicialet V. J. Tashmë Taullaj do të përballet me dy procese paralele, atë të pjesëmarrjes në Bandën e Durrësit dhe i akuzuar për disa krime në emër të saj, si dhe “shfrytëzimin për qëllime prostitucioni” të shtetases V.J. Indrit Taullaj u arrestua në Tiranë pas disa muaj kërkimesh, pasi akuzohej nga organi i akuzës për vrasjen e vëllait të Klodian Saliut, Shkëlqimit, i vrarë në plazh në Durrës. Sipas dosjes së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Indrit Taullaj dyshohet se ka konsumuar veprën e vrasjes me paramendim, të kryer në bashkëpunim, të Eduart Ongarit, ndodhur në datën 5 korrik 1999. Gjithashtu, dyshohet se ai ka marrë pjesë në ekzekutimin e Marsel Sotirit, në datën 22 gusht 1999. Akuza e tretë e faktuar është vrasja e Dritan Dishës, më 9 korrik 2000. Gjatë hetimeve rezultoi se Lul Berisha dhe Klodian Saliu (i vrarë) nga viti 1997 e në vazhdim kanë krijuar dhe drejtuar një organizatë kriminale, në të cilën bënin pjesë Plaurent Dervishaj, Indrit Taullaj, Adriatik Coli, Indrit Dokle, si dhe Ilir Xhunga, Arben Paja (aktualisht të vrarë).