Tiranë, arrestohet punonjësi i Policisë Rrugore, i mori ryshfet një qytetari
Një punonjës i Policisë Rrugore është vënë në pranga nga kolegët e tij, pasi u kap duke marrë ryshfet. Uniformat blu arrestuan në flagrancë Bujar Metën , i cili mori nga një qytetar 4.000 lekë, për t’i dhënë dokumentacionin e mjetit, të cilin ia kishte bllokuar. 44-vjeçari kishte vendosur të “mbyllte një sy”, nëse pronari i mjetit do t’i jepte atij shumën e të hollave të kërkuara. Ai e kishte takuar tri herë pronarin e mjetit, Kristian Velço, ku dhe i kishte bërë presion që të paguante, nëse donte që të merrte dokumentet. I gjendur në këtë situatë, qytetari ka kërkuar ndihmën e policisë, të cilët kanë nisur nga puna, për kapjen e 44-vjeçarit. Oficerët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme kanë arrestuar në flagrancë Metën, teksa ai po merrte nga pronari i mjetit 4.000 lekëshin e kërkuar. Ndaj, punonjësit të policisë i janë vënë prangat dhe ai është shoqëruar për në ambientet e komisariatit. Meta do të duhet të përballet me akuzat e mitmarrjes nga drejtësia shqiptare. 44-vjeçari i kishte marrë dokumentet pronarit të makinës para 7 ditësh. Për t’ia dhënë ato sërish, Meta i kishte propozuar qytetarit që ai t’i dorëzonte një sasi parash prej 4.000 lekësh, nëse donte t’i merrte sërish dokumentacionin dhe të mos kishte më probleme. Punonjësi i Policisë Rrugore kishte zgjedhur të takohej në Institut, afër Urës, pranë karburant “Rira”-s. Rreth orës 17:00 është zhvilluar takimi mes Metës dhe Velços. Oficerët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm kanë pritur derisa pronari i mjetit i ka dhënë atij shumën e parave të kërkuara dhe më pas kanë arrestuar në flagrancë punonjësin e Policisë Rrugore. Sipas burimeve, qytetari dhe Meta ishin takuar tri herë. Vetë 44-vjeçari nuk kishte deklaruar në komisariat se i kishte bllokuar dokumentet. “Hajde me mend të tjera, nesër takohemi dhe t’i jap dokumentet”, - i kishte thënë pronarit të mjetit ai, duke i lënë të kuptohej se nëse donte të kishte sërish dokumentet e mjetit, duhet të paguante. Në një situatë të tillë është kërkuar ndihma e oficerëve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të cilët pasi kanë nisur hetimet, kanë arrestuar 44-vjeçarin me akuzën e “mitmarrjes”.