E Diel, 1 Nëntor 2026

Krushqit e trafikuar

Burrë e grua akuzohen se janë marrë me trafikim të personave, në shkëmbim të parave, deri në 1 mijë euro për person. Kësaj here, dyshohet se trafikimi nuk është kryer nga Kosova për në shtetet e Perëndimit, por nga Turqia për në Kosovë.

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, është mbajtur të martën seanca gjyqësore ndaj shtetasit turk, Ollgun Kabatshilturk dhe gruas së tij, shtetases së Kosovë, Luljeta Bahtiri.

Nën këtë aktakuzë, çifti është mbajtur në paraburgim nga 11 shtatori i vitit të kaluar, ndërkohë që në seancën e së martës, gjyqtari i çështjes, Mejdi Dehari, vendosi që gruas, Luljeta Bahtirit nga Vushtrria, t’i ndërpritet kjo masë.

Arsyeja për këtë, sipas gjyqtarit, është se shtetasja kosovare është në muajin e tetë të shtatzënësisë dhe se gjatë seancës së fundit, ajo dukej shumë e rënduar psikikisht.

Në seancën e së martës, në lidhje me këtë rast, ka përfunduar edhe i tërë procesi i marrjes në pyetje të dëshmitarëve të çështjes, ku përveç të tjerëve, përfshihen edhe disa shtetas turq. Aktiviteti ilegal i këtij çifti, sipas aktakuzës, dyshohet se ka nisur në pranverën e vitit të kaluar dhe ka vazhduar deri në vjeshtën e të njëjtit vit, para se ata të arrestoheshin dhe të akuzoheshin për trafikim me qenie njerëzore.

Sipas aktakuzës, dyshohet se Ollgun Kabatshilturk nga një qytet në afërsi të Stambollit, së bashku me Luljeta Bahtirin, në emër të martesës së tyre dhe ceremonive të ndryshme, kanë sjellë shtetas turq, me qëllim që ata të përfitojnë shtetësinë e Kosovës.

Kështu në maj të vitit 2009, ata kanë sjellë katër personat e parë nga Turqia, që sipas aktakuzës, kanë hyrë në Kosovë përmes aeroportit të Prishtinës, kinse për të marrë pjesë në dasmën e çiftit.

Secilit prej tyre ata dyshohet se ua kanë marrë nga 1 mijë euro, ku në mesin e tyre ka qenë edhe Hamit Dogan, njëri prej dëshmitarëve, i cili ka dëshmuar në njërën nga seancat gjyqësore.

I pandehuri Ollgun Kabatshilturk i ka mohuar akuzat për të cilat ngarkohet. Ai i ka deklaruar Prokurorisë se nuk ka ardhur në Kosovë që të trafikojë persona nga Turqia.

“Ardhja ime në Kosovë ka pasur të bëjë vetëm me hulumtimin e tregut, në mënyrë që të merret me biznesin e tekstilit”, citohet Ollguni t’i ketë deklaruar prokurorit.

Në të njëjtën kohë, edhe e pandehura tjetër, gruaja e shtetasit turk, Luljeta Bahtiri e ka mohuar aktakuzën. Seanca e radhës në lidhje me këtë çështje është caktuar të mbahet më 1 shkurt të këtij viti, ndërkohë që ky rast është ndër të paktit ku personat akuzohen për trafikim të shtetasve të huaj drejt Kosovës, me premtime për rregullim të dokumenteve.

Bazuar në Ligjin për të huajt, i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, shtetasit e huaj, pavarësisht nënshtetësisë së tyre nga vendi i origjinës, kanë mundësi të kenë edhe nënshtetësinë e Kosovës. Pavarësisht se një shtetas i huaj mund të ketë disa nënshtetësi, në rast se ai i plotëson kriteret që parashikohen me këtë ligj, si qëndrimi i rregullt në Kosovë për pesë vjet, nëse nuk ka shkaktuar probleme, nuk ka qenë i varur nga shteti, apo është i martuar me një shtetas apo shtetase të Kosovës për tri vjet, ai ose ajo automatikisht e merr nënshtetësinë e Kosovës.

Një ligj të tillë kaq i hapur është vështirë të gjendet edhe në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian si Gjermania apo Austria. Së paku në këto vende, në rast se një shtetas i huaj fiton nënshtetësinë e vendit përkatës dhe dëshiron të bëhet banor i përhershëm, atëherë personi duhet të heqë dorë nga nënshtetësia e vendit të origjinës.

Falë ligjit shumë të hapur të cilin e aplikon Kosova, deri më tash pasaportën kosovare e kanë fituar shtetas nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Iraku, Filipinet, Turqia, Shqipëria, Serbia apo Maqedonia.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›