E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, 25 vjet burg për Pajën, plagosi punonjësin e policisë

12/01/2010  Pretenca e organit të akuzës
Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dje nga po e njëjta gjykatë deklarimin fajtor të pandehurit Ilir Paja për akuzën e “vrasjes së mbetur në tentativë”, ndaj një agjenti policie. Përfaqësuesi i akuzës tha dje se gjatë hetimit gjyqësor u provua plotësisht se Ilir Paja ka konsumuar elementët e veprës penale dhe për këtë qëllim duhet të dënohet me 25 vjet heqje lirie. Këtë masë dënimi, prokurori e argumentoi me provat e marra gjatë fazës paraprake të hetimit dhe me ato të grumbulluara direkt në sallën e gjyqit. Ndërkohë që në konkluzionet përfundimtare, prokurori deklaroi edhe pushimin e katër akuzave të rënda për Ilir Pajën, për të cilat ai është duke u gjykuar në shtetin fqinj Itali. Seanca gjyqësore ndaj Ilir Pajës drejtohet nga gjyqtari Idriz Mulkurti. Sipas akuzës, Ilir Paja ka tentuar të vrasë agjentin e policisë Bledi Haxhimali në momentin kur ky i fundit së bashku me kolegun e tij e kishin njohur personin në kërkim. Ngjarja ndodhi më 6 mars të vitit 2008. “Ilir Paja, tha prokurori, është një prej personave të kërkuar nga shteti gjerman dhe Italia, atje ku ka kryer edhe disa vepra të rënda penale”. Por Paja është edhe një prej personazheve, i cili është arratisur dy herë nga dhomat e izolimit. Paja në fillim të gjykimit pranoi të procedohej me gjykim të shkurtuar, kërkesë e cila u refuzua nga ana e gjykatës.
A. Çuka

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›