E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryebashkiaku Basha takon Marles

Melburni do të jetë një nga partnerët strategjik të Tiranës. Propozimi për nënshkrimin e një marrëveshje partneriteti strategjik i është përcjellë Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha nga Zëvëndësministri i Jashtëm i Australisë, Richard Marles në takimin e zhvilluar në Bashkinë e Tiranës.

Në këtë takim zoti Basha dhe zoti Marles diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit mes kryeqytetit shqiptar dhe atij australian si dhe për nxitjen e investimeve australiane në Tiranë.

Bashkëpunimi me Melburnin është shumë i rëndësishëm për Bashkinë e Tiranës, tha Basha, edhe për faktin se 70% e diasporës shqiptare që jeton ne Australi, ndodhet në këtë qytet.

Zëvendësministri i Jashtëm i Australisë, z. Richard Marles u njoh nga zoti Basha me projektet strategjike si zgjatimi i bulevardit, rehabilitimi i lumit të Tiranes, ndërtimi i terminalit multimodal të pasagjerëve dhe të linjave të tramit.

Zoti Marles u angazhua që të nxisë investitorët australianë të shohin Tiranën si një mundësi të mirë për investimet e tyre, sikundër shprehu dëshirën për rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.

Në këtë takim, zoti Basha, është ndalur edhe në potencialin turistik që ka Tirana dhe investimet që parashikohen në këtë fushë. Zoti Basha i kërkoi zv/ministrit të Jashtëm Marles të kontribuojë në nxitjen e turistëve australianë të vizitojnë Shqipërinë duke nisur me Tiranën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›