E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajern sherr Roben-Riberi

Fitorja me Realin e Madridit në gjysmëfinalet e Champions League është eklipsuar nga tensioni që ekziston te skuadra e Bajernit të Mynihut. Sipas “Sport Bild”, gjatë pushimit të ndeshjes së të martës, Frank Riberi dhe Arjen Roben duket se janë zënë, duke përdorur edhe duart. Për të qetësuar situatën ishte e nevojshme ndërhyrja e shokëve të skuadrës, të cilët I kanë ndarë dy yjet e skuadrës bavareze.
Shkak për sherrin ndërmjet Roben dhe Riberi ka qenë një goditje dënimi, që të dy futbollistët kërkonin ta ekzekutonin, por që në fund u gjuajt nga shoku i tyre I skuadrës, Toni Kros.

Debate nisi në fushën e lojës, por më pas, për sytë e të gjithëve u duk sikur ai u kalua me një përqafim. Megjithatë, gjatë hyrjes në dhomat e zhveshjes, dy mesfushorët me tipare sulmuese u bënë protagonistë të një tjetër konfrontimi, këtë herë më të ashpër.
Sipas mediave gjermane, Riberi duket se ka sulmuar verbalisht Roben, dhe më pas nga fjalët, lojtarët kaluan te duart. Shokët e skuadrës evituan përkeqësimin e situatës, ndërsa francezi dhe holandezi u paraqitën të mërkurën te drejtuesdit e klubit, për të dhënë llogari për atë që ndodhi.

Bajerni e ka mohuar kategorikisht ngjarjen, megjtihatë nuk është hera e parë që lojtarët bavarezë debatojnë për ekzekutimin e goditjeve të dënimit. Në 20 mars, në sfidën kundër Hertës së Berlinit, Riberi dhe Kros kanë vendosur se cili do të ekzekutonte një goditje dënimi nëpërmjet një loje në fushë, ndërsa pamjet tregonin Roben që argëtohej pa masë nga ky episod.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›