E Diel, 1 Nëntor 2026

7 gola në nëntë ditë, Milani lëpin plagët

Ky është bilanci i kuqezinjve pas ndeshjeve me Lacion, Barcelonën dhe Napolin. Skuadra duhet të përmirësohet në mbrojtje

Me atë sulm gjysmagjel dhe atë mesfushë të sajuar, thuhet se Milani nuk mund të bënte më shumë në Napoli. Por nëse mungesat janë të shumta dhe që rëndojnë, nuk është në sjelljen e një skuadre të madhe që të qaravitet, por duhet të dëgjojë kambanat e alarmit që bien vazhdimisht. Shtatë gola në nëntë ditë. Ky është bilanci shqetësues i tre ndeshjeve të fundit me kundërshtarë të nivelit të lartë, por që kanë arritur te goli me shumë lehtësi. Që në fillim, kombinimi i Kloses dhe Sisen nxorri në pah problemet e para, por muri në Barcelonë duket se mbajti mirë, përpara se të shkërmoqej në San Paolo kundër bandës së uritur të Maxarrit. Alegri ka nënvizuar: “Shtatë gola janë shumë e sidomos nëse luajmë kundër një rivali që ka si armë të fortë kundërsulmet. Nuk mund t’i lejojmë vetes që në tre kundërsulme të pësojmë dy gola.” Nesta nuk e ka nisur në mënyrën më të mirë dje dhe Tiago Silva nuk ishte në formë, por problemi nuk është në linjën e tretë sesa në fazën mbrojtëse. Këtë e tregoi fare mirë galopimi i Garganos, që solli golin e rezultatit 2-1, atë që prishi përfundimisht ekuilibrat. Është e pamundur që një lojtar të mos ketë përballë në 50 metra vrap asnjë kundërshtar që të mos e presojë. Nëse nuk funksionon filtri në mesfushë është e qartë që mbrojtësit qëndrorë në luftën një kundër një nuk do të kenë shumë mundësi kundër elementëve që dinë t’i shfrytëzojnë hapësirat. Alegri, me siguri duhet të rishohë diçka në mesfushë sepse Van Bomel ka shumë sens pozicionimi por dinamizëm të pakët dhe Sedorf dihet tashmë, pëlqen të luajë më përpara. Në pritje të rikthimit të Gatuzos dhe Ambrozinit, Noçerino duhet të integrohet më mirë dhe Akuilani duhet të sakrifikohet më shumë në mbrotje. Në të kundërt, Ibra mund të kthehet me gola të shumtë, por duhet të shënojë më shumë sesa ata që do të pësojë skuadra.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›